E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmbytjet, Rama: E vetmja zgjidhje ndodhet te kutitë



Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama i shoqëruar nga deputetët e Qarkut të Korçës ka qenë në fshatin Sheqeras, ku tashmë prej disa kohësh sipërfaqe të konsiderueshme toke janë të përmbytura.
Lideri i opozitës ka diskutuar gjatë me banorët të cilët kanë theksuar se pavarësisht situatës së rënduar, asnjeri nuk është kujtuar për ta. Kryetari i Partisë Socialiste tha se "si Shkodra edhe Sheqerasi gjenden në të njëjtën situatë, ku shteti sipas tij vazhdon të premtojë dhe të gënjejë ashtu siç po bën në të gjithë Shqipërinë". "Mos mendoni që atyre në Shkodër iu kanë dhënë ndonjë gjë. Llafe u kanë dhënë dhe premtime pas premtimesh. Mos mendoni që ata kane marrë dhe ju s'po merrni, askush nuk po merr këtu përveç gënjeshtrave. O burra të gënjejmë sa më shumë nesër për të mbuluar gënjeshtrën që bëmë sot. është mbytur shteti jo toka, nuk ka shtet", deklaroi Rama. Sipas tij, kjo situatë është akumuluar dhe është një situatë dramatike më shumë se çdo herë tjetër, për shkak se është mbytur shteti dhe jo toka. "Nuk ka shtet që të garantojë minimumin e sigurisë në të katërt anët, jo më të garantojë sigurinë e prodhimit. Janë zënë të gjitha llojet e kanaleve, janë bllokuar të gjitha rrugët e kullimit të ujërave dhe ja ku jeni ju këtu, ku 8 mijë ha të përmbytura. Liqen majtas, liqen djathtas, rrugicë në mes, se çfarë do bëhet nuk dihet", tha Rama. Kreu i opozitës tha se Qeveria aktuale ka si qëllim të vetëm të zhvasë qytetarët e saj kudo që ata ndodhen. Për Ramën, e vetmja zgjidhje ndodhet tek kutitë e 28 qershorit, ku sipas tij, është fshehur e vërteta e deformuar e vullnetit të popullit. "Ka vetëm një rrugë miqtë e mi, rruga është hap kutitë ose largohu. Kjo është rruga. Po të kishin dalë votat siç i hodhi populli, nuk do kishte përmbytje sot. Edhe uji nga kutitë del", vijoi në fjalën e tij para banoreve të Sheqerasit Rama.

PD: Kriza në mendjen e Ramës

Partia demokratike reagoi dje pas deklaratave të kryesocialistit në zonën e Sheqerasit në Maliq. Zëdhënësja e PD-së Erla Mëhilli tha se asgjë nga ato që deklaron kryetari socialist nuk janë të vërteta por vetëm mashtrime. "Partia Demokratike i rikujton kryetar Edvin Kristaq Krizës apo Kryetar 2K se alternativa juaj e shpifjes mashtrimit dhe trillimit mori përgjigjen e merituar me 28 qershor. Sikundër garanton qytetarët e përmbytur se Qeveria do t'i dëmshpërblej ata tërësisht për të gjitha dëmet e shkaktuara nga përmbytja si dhe do të ndërtojë infrastrukturën e zonave të tyre në përputhje me premtimet e bëra", u shpreh Mëhilli. Sipas zëdhënëses së partisë demokratike kriza për të cilën flet kryesocialisti është vetëm në mendjen e tij. "Por Z.Rama foli sot sërish për krizë, një krizë të cilën e ka veçse në mendjen e tij, një krizë që i vjen edhe ditën me diell ndërkohë që qytetarët e Tiranës, Elbasanit dhe të mbarë Shqipërisë po festojnë me gëzim dhe optimizëm ditën e verës dhe nuk po dëgjojnë vajet e kutive dhe të krizës së Kryetarit 2K", u shpreh Mëhilli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›