Përmbytjet, Rama: Rezultat i keqqeverisjes
TIRANE- Kreu socialist Edi Rama e cilëson rezultat të keqqeverisjes situatën emergjente të krijuar në Shkodër si rezultat i hapjes së portave të HEC-eve pas rreshjeve të dendura të ditëve të fundit. “Sot është ora për tu mbledhur të gjithë bashkë për të shpëtuar cdo jetë njeriu. Është ora e marrjes së përgjegjësisë qytetare e patriotike , nga cdo qytetar e qytetare e këtij vendi për të ndihmuar motrat e vëllezërit në rrezik.” theksoi kreu i socialistëve ndërsa nënvizoi se drama e jashtëzakonshme nuk ka të bëjë as me ngrohjen globale e as me natyrën, por me keqmenaxhimin e situatës nga autoritetet përgjegjëse. Rama bëri të ditur se Partia Socialiste ka vënë në dispozicion të të gjithë atyre që duan të kontribuojnë vullnetarisht për banorët e prekur nga përmbytjet, 2 llogari bankare. “Cdo anëtar i partisë sonë të derdhë dicka në kontot bankare në ndihmë të Shqipërisë. Nuk ka rëndësi madhësia e shumës që jep secili por numri i atyre që kontribuojnë. Të tregojmë që dimë të bëjmë për njëri tjetrin.” u shpreh Rama gjatë një konference për shtyp në orët e pasdites. Kreu i opozitës u bëri thirrje familjeve të rrezikuara nga uji të largohen sa më parë , duke i siguruar se Partia Socialiste nuk do ti ndahet qeverisë deri në kompensimin e plotë të dëmeve të shkaktuara. “Qeveria të lerë justifikimet e kota dhe të garantojë transparencë për cdo element të kësaj situate. Berisha tua kursejë shqiptarëve panikun. Qeveria të lëvizë në kalkulimin e dëmeve, bërjen e transparencës së tyre një orë e më parë . Cdo familje në zonën e rrezikut të largohet dhe të besojë se ne nuk do ti ndahemi qeverisë deri në kompensimin e dëmeve deri në qindarkën e fundit” theksoi Rama. Ndërkaq kreu socialist i bëri thirrje Prokurorisë së Përgjithshme të të hetojë cështjen dhe të verë përpara drejtësisë këdo që sic tha ai , “paguhet nga shqiptarët për t'iu siguruar jetën, pronën, të ardhmen, jo për t'i përmbytur për shkaqe që duhet të bëhen transparente fije për fije dhe duhet të ndëshkohen një për një”. “Hetimet duhet të fillojnë urgjentisht, ndërkohë që politika duhet të mos ngatërrojë radhën e punëve. Në fillim jetët e njerëzve. Pastaj përgjegjësitë e pushtetarëve. Një për një. Deri në fund.” tha Rama. (e.n/BalkanWeb)