Përmbytjet në Azinë jugore, shkon në 600 numri i viktimave

Ka shkuar në 600 numri i viktimave në Azinë jugore, për shkak të shirave të rrëmbyeshëm që kanë shkaktuar përmbytje dhe rrëshqitje dheu.
Shiu muson i përkeqësuar nga stuhitë tropikale shkaktoi disa nga përmbytjet më të këqija të rajonit në vite, me miliona të prekur në Indonezi, Malajzi, Tajlandë dhe Sri Lanka.
Me qindra persona rezultojnë ende të zhdukur, ndërsa numri i të vdekurve ka të ngjarë të rritet.
Në Sri Lanka, e cila është goditur edhe nga një ciklon, më shumë se 130 njerëz kanë vdekur dhe rreth 170 janë zhdukur.
Cikloni tropikal jashtëzakonisht i rrallë, i quajtur Cikloni Senyar, shkaktoi rrëshqitje katastrofike dheu dhe përmbytje në Sri Lanka dhe Indonezi. Agjencia e fatkeqësive të Indonezisë tha të shtunën se gati 300 njerëz ishin ende të zhdukur pasi përmbytjet shkatërruan Sumatrën.
“Rryma ishte shumë e shpejtë, brenda pak sekondash arriti në rrugë, hyri në shtëpi,” tha një banor në provincën Aceh.
Moti i keq ka penguar operacionet e shpëtimit dhe ndërsa dhjetëra mijëra njerëz janë evakuuar, qindra janë ende të bllokuar. Në provincën jugore Songkhla të Tajlandës, uji arriti deri në 3 metra dhe të paktën 145 njerëz vdiqën. Qyteti i Hat Yai përjetoi 335 mm reshje në një ditë të vetme, më të dendurat në 300 vjet.
Meteorologët kanë thënë se moti ekstrem në Azinë Juglindore mund të jetë shkaktuar nga ndërveprimi i tajfunit Koto në Filipine dhe formimi i rrallë i ciklonit Senyar në ngushticën e Malacca.
Ndryshimet klimatike kanë ndryshuar modelet e stuhive, duke përfshirë intensitetin dhe kohëzgjatjen e sezonit, duke rezultuar në reshje më të dendura, përmbytje të shpejta dhe erëra më të forta.
/rtsh.al/