Përmbytjet në Greqi/ Rama: Çdo shqiptar që ka nevojë për ndihmë t’i drejtohet ambasadës në Athinë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar mbi përmbytjet e mëdha që kanë prekur shumë rajone të Greqisë duke shkaktuar humbje jetësh dhe dëme të mëdha.
Rama shpreh solidaritetin me të gjithë të prekurit nga përmbytjet e mëdha.
“Keqardhje e madhe për jetët e humbura, ngushëllime vëllazërore familjeve të tyre dhe solidaritet i megjithëzemërt me të gjithë të prekurit nga kjo fatkeqësi e jashtëzakonshme natyrore”, shkruan kryeministri Rama.
Gjithashtu, kreu i qeverisë shpjegon se “ambasada jonë në Athinë njofton se qytetarët që ndodhen në zonat e prekura, mund të kontaktojnë drejtpërdrejt me Njësinë për Menaxhimin e Emergjencave Civile të Ministrisë së Krizave Klimatike dhe Mbrojtjes Civile të Greqisë🇬🇷, në numrin e aktivizuar të telefonit 📞 𝟏𝟏𝟐, i cili është vënë në dispozicion të shtetasve që kanë nevojë për ndihmë”
Ai u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë të prekur nga përmbytjet në zonat problematike të Greqisë se “për çdo nevojë t’i drejtohen Ambasadës sonë🇦🇱 përmes numrit të emergjencës 📱 𝟎𝟎𝟑𝟎–𝟔𝟗𝟒𝟏𝟔𝟓𝟖𝟏𝟖𝟑, në dispozicion të qytetarëve 𝟮𝟰/𝟳 dhe në adresën e email-it 📧 embassy.athens@mfa.gov.al”
/rtsh.al/