Përmbytjet në Lezhë – Rreth 300 hektarë tokë ende nën ujë, grupet po verifikojnë dëmet në terren

Një nga zonat e prekura nga përmbytjet e ditëve të fundit në Lezhë është edhe njësia administrative e Zejmenit. Prej një jave, dhjetëra hektarë tokë bujqësore në fshatrat Spiten dhe Tresh ndodhen nën ujë, i cili në disa zona ka arritur deri në 1 metër.
Fermerët thonë se nuk kanë më shpresë që mbjelljet e grurit dhe jonxhës të japin rendiment këtë sezon, për shkak të pranisë së ujit për një kohë të gjatë në tokat e tyre. Ata ngrenë shqetësimin se kjo është një situatë e përsëritur dhe asnjëherë nuk janë kompensuar për dëmet e shkaktuara
“Po e njëjta filozofi si edhe vitet e tjera. Çfarë është mbjellë nuk besoj se do të ketë më funksion. Vjet janë pastruar shumë kanale, por mesa duket nuk është puna vetëm te to, por edhe te hidrovorët”, shprehet banori.
Sipas të dhënave të strukturave të Mbrojtjes Civile, me mbylljen e argjinaturës së çarë të Lagunës së Vainit, niveli i ujit ka rënë dhe sipërfaqja e përmbytur aktualisht është rreth 300 hektarë.
Ndërkohë, prej dy ditësh grupet e punës të Bashkisë Lezhë kanë dalë në terren dhe po verifikojnë dëmet e shkaktuara nga përmbytjet në njësitë administrative Kolsh, Shënkoll dhe Zejmen.
/rtsh.al/