E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbytjet në Shkodër, evakuohen 370 banorë

Ministri Basha u shpreh se gjendja e vigjilencës në gjithë zonën do të vazhdojë për të paktën edhe pesë ditë

Ulen shkarkimet nga hidrocentralet e kaskadës së Drinit, por pritet që evakuimet e banorëve të vazhdojnë


SHKODËR - Mbi 370 banorë janë evakuuar dje nga zonat e përmbytura në Shkodër. Ndërkohë niveli i ujit shënoi rënie vetëm në disa zona në periferi të qytetit. Për të disatën herë radhazi është përmbytur dhe Xhamia e Plumbit. E shpallur monument kulture për rëndësinë e saj të veçantë, xhamia është tërësisht e izoluar nga uji për shkak të rritjes së prurjeve të lumit Drin.


E njëjtë paraqitet situata dhe për dhjetëra shtëpi po në lagjen "Ajasëm", ndërsa mësohet se përgjatë orëve ka pasur dhe rënie të nivelit të ujit si pasojë e ndërprerjes së reshjeve të shiut.


Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për zonën e Nënshkodrës, ku niveli i ujit duket se ka pësuar rritje, ndërsa vijon ndërtimi i argjinaturës për të shmangur zgjerimin e hartës së përmbytjes. Mësohet se aktualisht kalimi në urën e Gjon Lulit dhe në Dajç kryhet vetëm me mjete të rënda të ushtrisë, ndërsa në Dajç vetëm me mjete motorike. Mbi 100 shtëpi vijojnë të jenë të përmbytura dhe rreth 700 të tjera të rrethuara me ujë, ndërsa sipërfaqja e përmbytur është mbi 5 mijë ha.


Vazhdojnë shkarkimet dhe evakuimet


Shkarkimet nga hidrocentralet e kaskadës së lumit Drin kanë shënuar rënie gjatë orëve të natës duke u gdhirë dita e djeshme, duke sjellë kështu dhe një përmirësim të situatës në disa zona. Gjithsesi, vazhdon aksioni për evakuimin e banorëve. Sipas informacioneve, nuk ka pasur shtim të nivelit të ujit në lumenjtë e këtij rajoni, por për t'i paraprirë ndonjë situate disa familje të rrezikuara po evakuohen nga forcat e ushtrisë dhe policisë.


Nga përmbytjet e fundit më e prekur rezulton të jetë komuna e Dajçit e Bregut të Bunës. Gjatë ditës së djeshme, shtabi i emergjencës në prefekturën e Shkodrës ka planifikuar një sërë ndërhyrjesh në disa nga zonat problematike, kryesisht në përforcimin e argjinaturave në Darragjat të komunës Dajç, në fshatin Ças në komunën Velipojë, në fshatin Ashtë dhe Mali i Jushit të komunës Bushat etj.


Dajç e Goricë, të izoluara


Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, pas takimit në Komitetin e Energjencave inspektoi fshatin Ashtë të komunës së Bushatit. "Aktualisht situata është problematike, por po monitorohet hap pas hapi. Pozitiv është fakti se tashmë prurjet dhe shkarkimet nga hidrocentralet kanë pësuar rënie dhe kjo rrit mundësinë e përmirësimit të situatës, - tha Basha. - Por ne do të vazhdojmë të jemi vigjilentë të paktën edhe për 5 ditët në vazhdim", u shpreh ministri.


Dajç e Goricë, të izoluara


Përmbytjet e dyta në komunën e Dajçit kanë shkaktuar edhe izolimin e zonës. Kështu, për t'iu drejtuar kësaj komune duhen automjete të larta ose kamionë. Të njëjtën situatë vuajnë edhe shumë shtëpi ku uji në oborret e tyre ka mbërritur në 30 centimetra.


Ndërkohë, e vetmja mënyrë për t'iu drejtuar fshatit Goricë është me mjete lundruese. 24 shtëpi prej pesë ditësh kanë mbetur të izoluara. Uji ka sjellë edhe përmbytjen e rreth 8 serave të fshatit, duke shkaktuar një dëm që kap vlerën e 10 milionë lekëve të reja. Përveç kësaj, ujit nuk i ka shpëtuar as baza ushqimore për blegtorinë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›