E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidentet rrugore, Shqipëria më problematikja në Europë

Kryeministri Berisha pohoi se aksidentet shkaktohen nga mungesa e sigurisë rrugore dhe mungesa e edukimit të popullatës


Vendi ynë është më problematiku në Europë sa i takon aksidenteve rrugore. Madje, numri i viktimave të aksidenteve rrugore është dy herë më i madh se në Europë.


Këtë problem pohoi dje kryeministri Sali Berisha në konferencën Kombëtare për Sigurinë Rrugore, e organizuar nga Ministria e Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit dhe Banka Botërore. Kryeministri, fajtor kryesor të kësaj situate bëri mungesën e edukimit të popullatës dhe mungesën e sigurisë rrugore.


Aksidentet


Aksidentet rrugore në vendin tonë marrin mbi 300 jetë në vit dhe shkaktojnë mbi 1200 të plagosur të formave të lehta dhe të rënda. Kështu u shpreh Berisha, i cili theksoi se problemi i sigurisë rrugore është një problem kompleks, në të cilin gërshetohen një seri faktorësh që nga rrugët dhe siguria e tyre, nga kultura dhe aftësitë e atyre që drejtojnë mjetin, nga rendi që ndjekin ata që monitorojnë trafikun rrugor.


"Në shumë raste, përgatitja e tyre që marrin lejet e drejtimit të automjetit është informale, jashtë çdo standardi. Nuk ka një përpjekje serioze për edukimin e popullatës për parandalimin e aksidenteve të trafikut rrugor. Nuk ka përpjekje serioze për mbajtjen e kaskës, e cila është e domosdoshme për të zbutur në maksimum traumën kraniale te motoçiklistët", - pohoi Berisha.


Shkaktarët


Pakujdesitë në drejtimin e automjeteve, përdorimi i alkoolit, mungesa e sinjalistikës, por shpesh edhe neglizhenca nga ana e kalimtarëve, janë shkaktarët kryesorë të aksidenteve rrugore. Sipas Koalicionit Shqiptar për Sigurinë në Rrugë, rreth 85% e aksidenteve kanë ndodhur si pasojë e pakujdesisë së shoferit dhe shkeljes së rregullave të qarkullimit, duke shkaktuar vdekjen e mbi 300 personave gjatë vitit 2009-të.


"Mbi 20 për qind e aksidenteve kanë ndodhur si pasojë e shpejtësisë mbi normat e lejuara. Ndërsa 60 aksidente kanë ndodhur si pasojë e konsumit të alkoolit nga shoferët e automjeteve dhe si pasojë kanë humbur jetën 18 persona", - bëhet e ditur nga Koalicioni Shqiptar për Sigurinë në Rrugë, duke shtuar se po gjatë vitit 2009 një numër i konsiderueshëm aksidentesh, mbi 200, kanë ndodhur si pasojë e pakujdesisë dhe shkeljes së rregullave nga këmbësorët.


1465 aksidentet rrugore kanë ndodhur në vendin tonë në vitin 2009
374 persona kanë pësuar plagë të rënda nga aksidentet rrugore në vitin 2009
1081 persona kanë pësuar plagë të lehta nga aksidentet rrugore në vitin 2009
300 persona kanë vdekur nga pakujdesia e shoferit në vitin 2009

20 % e aksidenteve kanë ndodhur si pasojë e shpejtësisë mbi normat e lejuara
85 % e aksidenteve kanë ndodhur nga pakujdesia e shoferit dhe shkeljes së rregullave të qarkullimit
60 aksidente ndodhën si pasojë e alkoolit nga shoferët e automjeteve

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›