E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbytjet,PS: Situata e rëndë, qeveria e paaftë të parandalojë emergjencat

Partia Socialiste ka reaguar për situatën nga përmbytjet në qarkun e Lezhës dhe të Shkodrës. Deputeti i PS-së Ilir Beqja në një konferencë për shtyp është shprehur se situata mbetet e rëndë në Obot sepse niveli i ujërave nuk ka lëvizur.
"Situata mbetet emergjente në Darragjat dhe Samrisht të Vjetër sepse rrezikon të çahet argjinatura tek e cila nuk është vënë dorë prej 22 vjetësh" theksoi Beqja duke shtuar se Partia Socialiste vazhdon të jetë pranë njerëzve që po kalojnë ditë të vështira, pranë banorëve të Anës së Malit e të Dajçit, banorëve të Velipojës e të Bërdicës, banorëve të Vaut te Dejës e të Gurit të Zi, banorëve të Shëngjinit e të Tales.
Më tej Beqja theksoi se shpreson që askujt të mos i cënohet jeta, pasi ata janë sot në mëshirë të motit dhe fatit e të braktisur nga qeveria e tyre.
Sipas tij situata aktuale nxjerr në pah paaftësinë e qeverisë për të parashikuar e parandaluar emergjenca të tilla.
"Situata që po kalojmë nuk mund të justifikohet me kapriçot e motit. Shqiptarët nuk e kanë dëgjuar për herë të parë baticën kur ua shpjegoi Sali Berisha, por qeveria e Sali Berishës nuk ka marrë asnjë masë për të përforcuar argjinaturat në Tale. Edhe paratë e shpenzuara në vitin 2006 për të mbrojtur Lezhën e Shëngjinin nga përmbytjet kanë shkuar në xhepat e oborrit të familjes në pushtet" theksoi Beqja.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›