Përmet, tentuan të vjedhin një lokal, 2 në pranga
Dy persona janë arrestuar nga policia e Përmetit pasi akuzohen për vjedhjen e një lokali në këtë qytet. Burime nga policia bëjnë me dije se janë arrestuar shtetasit Enerik Seriani dhe Rigert Isufaj pasi kanë tentuar të vjedhin me dhunë lokalin dhe karburantin e shtetasit G.N nga Këlcyra.
Sipas policisë dy të arrestuarit kanë tentuar të shpërthejnë derën e pasme të lokalit për të vjedhur lekët e xhiros si dhe ato të shitjes së karburantit. Ka qënë roja e këtij kompleksi i cili ka pikasur grabitësit të cilët janë përleshur me të fizikisht dhe më pas janë larguar menjëherë.
Falë një aksioni të policisë është bërë i mundur arrestimi i dy grabitësve në aksin Gjirokastër-Përmet.
Sipas policisë shtetasi Enerik Seriani ka qene i dënuar tre herë për veprat penale të vjedhjes dhe trafik droge në shtetin grek.
Ndërkohë materialet i kaluan prokurorisë së rrethit gjyqësor Gjirokastër për hetime të mëtejshme.