Pacollin nuk e josh posti i zëvendëskryeministrit

Behgjet Pacolli është bërë pishman pse ka pranuar dy javë më parë postin e zëvendëskryeministrit. Sipas mediave kosovare të cilat citojnë burime pranë Pacollit deklaratën për ta braktisur këtë funksion do t`ia dorëzojë kryeministrit Hashim Thaçi të martën.
Sipas mediave, “Pacolli do që të nisë përgatitjet për të kandiduar për postin e presidentit të Kosovës në zgjedhjet e ardhshme .Ai nuk po e sheh veten për postin e zëvendëskryeministrit”, ka thënë burimi i afërt me Pacollin.
Behgjet Pacolli është emëruar zëvendëskryeministër pak ditë pasi hoqi dorë nga të qenit kandidat i koalicionit qeverisës për president, me ka ka evituar bojkotin e opozitës në seancën kur është zgjedhur në të njëjtën pozitë Atifete Jahjaga. Në fakt, ai ka ushtruar postin e kreut të shtetit 35 ditë, por ishte detyra ta braktiste, pasi Gjykata Kushtetuese nxori përfundimin se zgjedhja ishte jokushtetuese, edhe për faktin se në seancën kur ishte votuar për të nuk ishin prezentë të paktën dy të tretat e deputetëve.