E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dita e tokes Arvizu dhe Rama shetitje me bicikleta ne Tirane

Dita e tokës, një celebrim për mjedisin kudo në botë, por që lindi në vitin 1969, pas mesazhit të senatorit Netson për të menduar për mjedisin u përkujtua dhe ne Tiranë, ndërsa kryetari i Bashkisë Edi Rama, kandidat për një mandat të katërt kishte thirrur në një aktivitet ambasadorin amerikan Aleksandër Arvizu.

“Me të vërtetë kur kryetari i Bashkisë më telefonoi dhe tha: dua t’ju ftoj në një aktivitet që zhvillohet në një mjedis të hapur, në fakt u entuziazmova, por dhe u bëra gjithashtu nervoz, sepse mendova se po më ftonte në një ndeshje basketbolli. Por ai më shpjegoi që donte të përkujtonim një traditë në Tiranë mes kryetarit të bashkisë dhe ambasadorit të Shteteve të Bashkuara dhe që ka lidhje me ditën e tokës dhe përgjigja ime ishte: “Me trego se ku dhe kur, dhe unë do të jem atje”. Dhe në fakt, sikurse tha dhe kryetari i Bashkisë, ne jemi shumë krenarë që Amerika ka qenë zanafilla dhe vendlindja e ditës së tokës. Ka një veçanti përcaktuese, kur flasim për ditën e tokës sepse ajo lindi thuajse si një lëvizje spontane. Nuk ishte iniciativë e qeverisë apo e korporatave të mëdha, por nismë qytetare në mënyrë që njerëzit të mund të ndërgjegjësoheshin për mjedisin. Dhe ja ku gjendemi sot 40 vjet më vonë. Në Tiranë, Ëashington e kudo në botë celebrohet kjo ditë dhe ju falënderoj zoti kryetar i bashkisë për ftesën e këndshme që më bëtë dhe pres gjithashtu me kënaqësi, që ta vazhdojmë këtë tradite për sa kohë të shërbej në Tiranë.”, ka deklaruar Ambasadori Arvizu.

Rama tha se këtë vit në Tiranë kjo ditë festohet ende me përmasa modeste me stacionin e parë të biçikletave një shembull i mirë në vendet europiane. Dhe ambasadori amerikan krahas kryetarit të Bashkisë, pati mundësinë të provonte dhe korsitë e dedikuara të biçikletave, së fundmi të vijëzuara në trotuaret e rrugëve të kryeqytetit.

Në fakt ndarja përgjysmë e trotuareve ka bërë që Rama të respektojë korsinë e biçikletës, por ambasadori amerikan është detyruar të udhëtojë në atë të këmbësorëve me biçikletën e tij, buzë lumit të Lanës.

Ky ishte aktiviteti i parë i bashkisë së Tiranës të kryesuar nga Edi Rama, në të cilin ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu ishte i ftuar që pas marrjes së detyrës së tij në Tiranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›