E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmirësohet infrastruktura e vaditjes në Dropull, pas sezonit nis rehabilitimi i digës të Pepelit

Në bashkinë Dropull gjatë këtij sezoni janë mbjellë rreth 500 hektarë me misër dhe jonxhë. Sipërfaqja që vaditet nga rezervuarët e Pepelit, Likomilit dhe Peshkëpisë, për të garantuar furnizimin me ujë të tokave bujqësore dhe për t’ju ardhur në ndihmë fermerëve gjatë sezonit të vaditjes. Po punohet për përmirësimin e kanalit vaditës në fshatin Vrisera.

“Gjatë këtij viti, ne po punojmë për ndërtimin ose rehabilitimin e kanalit të vaditës në Vrisera, me një gjatësi prej 1 km, i cili aktualisht është në punë”, tha Grigor Dushi, drejtor i bujqësisë, Dropull.

Pas përfundimit të sezonit të vaditjes, institucioni përgjegjës do të ndërhyjë për rehabilitimin e digës së rezervuarit të Pepelit, i cili është rezervuari më i madh në jug të vendit.

“Mbas mbarimit të sezonit të vaditjes do fillojë rehabilitimi i rezervuarit, i digës së rezervuarit të Pepelit, që është ndër rezervuarët më të mëdhenj në jug të Shqipërisë, i përfshirë në digat e mëdha.Është përcaktuar dhe firma e cila do të bëjë rehabilitimin e digës dhe të gjithë rezervuarit. Diga duhet mirëmbajtur, ose përndryshe paraqet rrezik tepër të madh, dhe e dyta është rritja e kapacitetit ujëmbajtës të qenit, për shkak sepse do të pastrohen të gjitha ato grumbullimet ndër vite.”, tha ai.

Investimet në mirëmbajtjen e rezervuarëve dhe rehabilitimin e infrastrukturës vaditëse synojnë të krijojnë kushte më të mira për zhvillimin e bujqësisë dhe rritjen e prodhimit në bashkinë Dropull.

Gazetare: E. Domeri    

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›