Përmirësohet situata në liqenin e Fierzës, nuk raportohen probleme në akset në qarkun Kukës

Të gjitha akset rrugore nacionale në Qarkun e Kukësit janë plotësisht të qarkullueshme, duke garantuar lëvizje normale të mjeteve në të gjitha drejtimet. Nga bashkitë Kukës, Tropojë dhe Has nuk janë raportuar problematika emergjente apo situata që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga strukturat vendore apo emergjencat civile.
Furnizimi me energji elektrike në qark paraqitet përgjithësisht i qëndrueshëm. Vetëm njësitë administrative Zapod, Topojan dhe Shishtavec në bashkinë Kukës kanë pasur ndërprerje të përkohshme të energjisë, për të cilat ekipet e OSHEE po punojnë për rikthimin e furnizimit në normalitet.
Ndërkohë, furnizimi me ujë të pijshëm në qytetet dhe njësitë përreth vazhdon sipas orareve të përcaktuara nga Drejtoria Rajonale e Ujësjellës-Kanalizimeve Kukës, pa raportuar vështirësi të veçanta.
Situata e prurjeve në liqenin e Fierzës është përmirësuar ndjeshëm pas reshjeve të fundit të shiut, të cilat kanë ndikuar në rritjen graduale të nivelit të ujit. Sipas burimeve lokale, ky përmirësim pritet të ndikojë pozitivisht në prodhimin e energjisë dhe në menaxhimin e rezervave ujore në javët në vijim.
Autoritetet vendore dhe strukturat e mbrojtjes civile në Qarkun e Kukësit vijojnë monitorimin e situatës në terren, duke mbajtur kontakt të vazhdueshëm me njësitë administrative për të siguruar ndërhyrje të shpejtë në rast nevoje. Aktualisht, situata në qark vlerësohet e qetë dhe nën kontroll.
Gazetare: Irda Bajraktari
/rtsh.al/