Përpëlitet revolta e humbësit – has në revoltën e qytetarëve
Edvini s’po di ku të futet nga përgjegjësitë që i vijnë prej katastrofës elektorale. Me tentativa përpëlitëse, ai nxori dje falangat e pakësuara, por hasën kudo rezistencën e qytetarëve, të cilët kërkojnë zbatimin e ligjit dhe qetësimin e situatës. Pas mesditës, bllokimet e rrugëve u zëvendësuan me kuisje antiligjore, ndërkohë që në mbrëmje, u shfaq deklarata se sa shumë do të ishin, nëse s’do t’i falej bashkia e Tiranës
Qytetarët injorojnë thirrjet e Ruçëve dhe Braçeve, të urdhëruar nga njeriu i politikës së rrugës, Edvin Rama, për protesta të dhunshme dhe revoltë popullore. Kryetari socialist dhe njëherazi kandidati që humbi zgjedhjet për bashkinë e Tiranës, Edi Rama, duket se është i vendosur t’i shkojë deri në fund çmendurisë së tij psikologjike, për të keqpërdorur qytetarët dhe simpatizantët partiakë të majtë, por as kjo s’duket se do i funksionojë.
Ajo që parashikohej para se të zhvilloheshin zgjedhjet lokale, po gjen zbatim të përkryer aktualisht në situatën post-zgjedhore.
Edi Rama s’ka vullnet të pranojë leximin e votës së qytetarëve, pasi ata janë shprehur qartë kundër politikave të tij destruktive dhe me synim cenimin e stabilitetit politik, social e atë ekonomik. Në kushtet kur Bashkimi Evropian bën thirrje për dialog konstruktiv, nga ana tjetër është Edi Rama ai që kundërpërgjigjet se s’ka ndërmend t’i imponohet vullnetit kushtetues të qytetarëve të Tiranës, të cilët në 8 maj ndëshkuan me votë “betejën” e tij politike.
Qytetarët folën qartë dhe vota e tyre meriton të lexohet deri në fund, pavarësisht një keqkuptimi shumë teknik dhe aspak të dëmshëm për procesin zgjedhor. Është banalitet i pa-konceptueshëm të mendosh se vota e hedhur në kutinë e gabuar kthehet në votë të pavlefshme, në një kohë kur procesi për votimin e kryetarit të bashkisë, minibashkivë dhe këshillat bashkiake, zhvillohet në mënyrë të unifikuar.
Thirrjet për revoltë popullore kanë reflektuar në një pjesë të qyteteve të kontrolluara nga besnikë të Ramës, të cilët në shkelje të hapur me ligjin kanë bllokuar disa nga akset kryesore të vendit, me slogane të çuditshme të tipit si, “Mos prekni votën”.
Këto turma nxiten nga deputetë të opozitës, të cilët qëndrojnë në krye të protestuesve dhe sigurisht që përgjegjësia për çdo incident si në dëm të forcave të rendit ashtu edhe të protestuesve, do bjerë mbi deputetët nxitës dhe mbi urdhër-lëshuesin e tyre, Edi Rama. Protestat u zhvilluan në qytetet si Durrës, Fier, Vlorë dhe Kavajë, me pjesëmarrje të dobët, ndërsa u vërejt një indiferencë e theksuar e qytetarëve të Elbasanit dhe të Korçës.
Para se, Edi Rama të lëshojë urdhra partiakë të sensit revoltë popullore dhe protesta të dhunshme, duhet të mendojë mirë se, për çfarë do lloj situate të padenjë, përgjegjësia bie mbi të dhe vetëm mbi të. Vota do lexohet deri në fund, pasi ky është detyrimi më i rëndësishëm ligjor si dhe një nga kriteret e institucioneve ndërkombëtare për një proces zgjedhor me standarde Evropiane.
Dhjetëra militantë e deputetë të PS-së, bllokojnë akset nacionale të vendit
Dhjetëra militantë dhe deputetë të Partisë Socialiste në rrethet Vlorë, Fier, Durrës, Elbasan, i janë përgjigjur thirrjes së një dite më parë të Edi Ramës për ngritje në protesta.
Ata kanë bllokuar akset kryesore të rrugëve nacionale, kanë penguar lëvizjen dhe qarkullimin ndërsa kanë djegur goma makine. Nga njoftimet e policive vendore, turmat duke iu bindur urdhrave dhe kërkesave të deputetëve iu janë drejtuar pikave kyçe të akseve rrugore ku dhe kanë qëndruar aty për të mbajtur të bllokuar lëvizjen e lirë.
Dhuna te KQZ-ja, lëndohen 5 efektivët e Policisë së Shtetit
Është tensionuar situata para godinës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ndërkohë që po numërohen votat e pa-numëruara për kryebashkiak të Tiranës. Mbështetësit e opozitës se bashku me disa deputetë të Partisë Socialiste tentuan të hyjnë brenda godinës. Ata kanë shtyrë forcat e policisë dhe janë përplasur me gardhin e krijuar nga uniformat blu. Në krye të turmës që kërkonte të çante kordonin e policisë ndodhej deputeti Saimir Tahiri. Nga konfrontimet, mbetën të lënduar katër punonjës policie, një nga të cilët është dërguar menjëherë për të marrë ndihmën mjekësore. Mbështetësit e Partisë Socialiste kanë ushtruar presion mbi forcat e policisë duke i hedhur edhe shishe e sende të forta.
Dhuna ndaj efektivave të policisë te KQZ
Policia e Tiranës çon në Prokurori deputetë të PS-së dhe 7 militantë
Policisë e Tiranës, ka kryer veprimet procedurale dhe do të referojë materialet në Prokurori, për konsumim të veprave penale të “Kundërshtimit me dhunë të punonjësve të Policisë si dhe “Fyerjes për shkak të detyrës, të punonjësve të policisë e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 236/2, 239 e 25 të Kodit Penal.
Policia njofton se depozitimi i saj për konsumim të veprave penale të lartpërmendur është ndaj deputetëve të PS të cilët kanë kryer veprime të dhunshme ndaj forcave të policisë dhe më konkretisht deputetët, Paulin Sterkaj, Tom Doshi, Eduart Shalsi, Sajmir Tahiri, Armando Prenga, Fatmir Xhafa, Besnik Bare, Gazmir Bizhga, Dashnor Peza, Taulant Balla, Fidel Ylli, Armando Subashi, Arben Ahmetaj, Artan Gaçe, Fatmir Toçi dhe Blendi Klosi.
Policia njofton se u arritën të identifikohen 7 shtetas, me precedent kriminal të cilët kanë ushtruar dhunë duke kaluar kordonin e policisë, ndërkohë që përkrahës dhe simpatizantë të tyre, kanë qëndruar jashtë portës hyrëse të KQZ. Policia bën thirrje që çdo militant partiak të distancohet nga aktet e dhunës.
Policia, thirrje qytetarëve
“Shmangni veprimet e dhunshme”
Policia e Tiranës ka deklaruar dje se ka marrë masa për ruajtjen e objektit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe sigurimin e rendit e të qetësisë ndërsa i ka bërë thirrje qytetarëve të distancohen nga aktet e dhunës dhe të shmangin çdo lloj provokimi apo goditje ndaj forcave të policisë.
Në një deklaratë për shtyp policia e Tiranës ka theksuar se rreth orës 11.30, pas grumbullimit para ndërtesës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, një grup personash kanë ushtruar dhunë ndaj strukturave të policisë, ku disa prej tyre janë të lënduar dhe një punonjës policie është dërguar në Spitalin Ushtarak Tiranë, për të marrë ndihmën mjekësore.
Më tej policia ka bërë me dije opinionin publik se rreth orës 11.00 të ditës së djeshme, në segmentin rrugor Rrogozhinë - Kavajë, në afërsi të Urës së Drazhit, janë grumbulluar në një tubim rreth 200 persona, të cilët kanë bllokuar këtë segment rrugor.
Sipas policisë janë marrë masat për ruajtjen e rendit dhe të qetësisë publike, ku deri më tani nuk është shënuar asnjë incident.