E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriminaliteti i sistemit komunist, përpara Koçit dhe pas tij

20-05-2011 / Nga Kostaq Xoxa

Dokumentimi i një gjykimi, gjatë diktaturës

Kësaj problematike historike i jep përgjigje libri “E vërteta e fshehur e një procesi”, i Kastriot Dervishit. Kjo vepër 270 faqesh, në një format që mund të quhet i madh, më duket se e meriton autorësinë e K. Dervishit ndonëse autori, për modesti, e indikon veten si përgatitës, në fund të ballinës së librit.
Paraqitja grafike dhe kopertinat janë punuar me hijeshí nga Rudina Dahri dhe nga Julian Aliu. Shkrimi im synon jo vetëm në shqyrtimin e një vepre që meriton vëmendjen e historianëve, të dashamirëve qëmtues të ngjarjeve të jashtëzakonshme të diktaturës sonë gjysmëshekullore, jo vetëm vlerën e këtij libri në çmitizimin e mendësisë komuniste, por edhe në zbërthimin e një të vërtetë të fshehur të një procesi, - siç vërehet në titull të librit.
Në këtë pikëpamje libri është i një vlere të klasit të parë si një antidot ballafaques ndaj një mentaliteti i cili, paradoksalisht, ka ende rrënjë të helmëta në mjediset tona, duke i shkaktuar një përpjekje tepër të mundimshme qeverisjeve tona të pas dymijë e pesës dhe të pas dymijë e nëntës kur, në qeverisjen Berisha-Meta, u njëmendësuan arritje edhe më të mëdha se në katërvjeçarin e parë. Kësisoj kjo vepër merr një aktualitet të mprehtë, në çrrënjosje të botëkuptimit komunist, të stimuluar nga Edvin Rama, si edhe nga mëkatarët e tij, që kaluan nga PPSH-ja te PS-ja, si kontingjente të gatshme për të qenë në vijën e parë të mësymjes kundër demokracisë.
***
Diktatori E. Hoxha u orvat që të gjitha krimet që paraqiten në gjyqin kundër Koçi Xoxes, gjyq i cili i filloi seancat më 11 maj 1949, - t’i ngarkoheshin numrit dy të regjimit komunist, Koçit. Ky ishte njëfarë Beria shqiptar, i molepsur me krime të përbindshme së bashku me të inkriminuar të tjerë në gjyq: Pandi Kristos, Vaskë kotecit, Vango Mitrojorgjit dhe Nuri Hutës. Marrja në pyetje e të pandehurve nga prokurori dhe nga kryetari i gjykatës, duhet  të ketë shkaktuar vështirësi objektive në proces që mbështetet në materialet gjyqësore. Sepse terrori i thekshëm, i shoqëruar me tortura rrëqethëse gjatë kohës që Koçi ishte ministër i Brendshëm, duhej të mbyllej vetëm në  qerthullin e kësaj pesësheje. Veçanërisht ky gjyq, që kishte për etalon gjyqet e Vishinskit, me hetues si Mezhinski, Jagoda dhe  Jezhovi, duhej ta nxirrte Enverin si të paimplikuar në këto krime. Ç’është e vërteta, - t’ia themi edhe hakën, - K. Xoxe  nuk e kurseu Sekretarin e Përgjithshëm të K,Q., Enverin, nga përgjegjësia e përbashkët për krimet monstruoze. Kur u akuzua se aparati sigurims i Koçit kishte vënë nën survejim edhe anëtarët e B. Politike (Nako, etj.), i akuzuari kryesor  i tregoi gjykatës se për këtë ishte marrë vendim nga Byroja, “me aprovimin e sekretarit të përgjithshëm dhe të një pjese të byrosë”. Dhe kishte shtuar: “Të gjitha informatat që më vinin (si ministër i Brendshëm), ia kam treguar komandantit” (f. 117). Është interesante të qartësohet se, në të gjitha rastet që përmendet Enveri, prokurori  në vend që t’i përvishej për të justifikuar  E. Hoxhën, kalonte në temë tjetër! Duket se ky proces kujtohej se do të mbetej si një “e vërtetë e fshehur” , - siç shënon K. Dervishi në kopertinë, - sido që ishte pjesëmarrës në gjyq një numër personash; por këta qenë të betuar, nën detyrim partiak, që punimet e këtij gjyqi të mbeteshin misterioze për masën e njerëzve. Gjykata duhej të merrej vetëm me krimet e Koçit, duke injoruar ato të Enverit!
Kështu tani doli edhe rrena e Enverit për pabesinë e tij ndaj Syrja Selfos, i cili e kishte ndihmuar si mik i dikurshëm, duke i dhënë në dispozicion një apartament me qira, të cilin e paguante mirëbërësi, përveç ndihmës materiale të herëpashershme, si ndihma financiare, etj. Por Enveri ishte i pabesë, së pari me miqtë dhe farefisin e tij që e kishin ndihmuar. Enveri, në gjallje, nxori një dialog të sajuar me Koçin: - Mos e keni torturuar Syrjain që të gjenit provat kundër tij? – Jo, sh. Enver, ju e dini se kemi marrë vendim në B. Politike, që të mos përdorim tortura!- i paska thënë Koçi! Në të vërtetë në këtë libër del se ç’tortura kishin pësuar S. Selfo e të tjerët, për të pohuar fajësinë e tyre të sajuar! Po kështu ishin pushkatuar edhe deputetët me vendim të gjyqit me emrin e tyre, ndër të cilët ishte edhe ish-miku i tij, Dr. Enver Sazani etj.
Torturat në këtë gjyq, falë qëndresës me shpirt ndër dhëmbë të K. Xoxes,  kanë dalë në këtë vepër si në filmat horror , por duke u implikuar si bashkëpunëtor në krim edhe E. Hoxha. Për t’ia ngjitur të gjitha Koçit, torturat bënë të tyren që edhe katërshja e gjyqit të dilte kundër Koçit. Në f. 125, Koçi Xoxe shpërthen kundër të pandehurve të tjerë: - “Unë po shoh se këtu është kurdisur një komplot kundër meje; por do të jem bir kurve nëse do t’u përgjigjesha këtyre pyetjeve (...) . Unë po shoh se është kurdisur një komplot (kundër personit tim) në lidhje me këto deponime”. Dëshmitarë kanë pohuar për vdekjet nën tortura të vëllait të Arshi Pipës, Myzaferit, Po ashtu edhe të shkencëtarit të dëgjuar europian,  Stanislav Zuberit. Kishin vdekur nën torturë édhe Loni Adami, Ferit Hyenvbegasi, Isuf Agjau, Gjon Vuksani e të tjerë (259).
I gjithë ky material akuzash e deponimesh, është shkruar në procesverbale autentike, që duheshin  sistemuar. Nëse kemi parasysh që  pyetje-përgjigjet janë regjistruar dhe janë transkriptuar sipas të folurit të secilit, nuk mëtohet dot në këtë vepër që  të përdoret një standard rigoroz gjuhësor. Megjithatë do të duhej një punë e kujdesshme që dialogët dhe aktet zyrtare të përpunoheshin, pa dalë aspak nga konteksti, për të kthjelluar mendimet që s’merreshin vesh mirë dhe për të uniformizuar replikat që të lexoheshin rrjedhshëm. Këtu duhet përmendur puna e redaktimit të R. Dahrit dhe sistemimi i materialit në gjashtë kapituj, që nga kreu I gjer te kreu VI, në autorësinë e K. Dervishit. Ky përkushtim e ka bërë vërtet interesante dhe domethënëse këtë vepër.
Mbase ky libër duhet të pasohet nga një vëllim i dytë, në po atë stil të atij që ka në dorë, tashmë, lexuesi, vëllim që do të mund të evidentojë krimet që janë bërë pas ekzekutimit të Koçi Xoxes. Do të vërtetohet se tmerret e Koçit nuk kishin mbaruar bashkë me të. Gjyqet-farsë të kohës së Enverit, do të vërtetonin se të vrarët pa gjyq të 22 personave në shkurtin e vitit 1951 (“bomba e ambasadës”), flijimi i ajkës së ushtrisë shqiptare, përveç “sabotatorëve” të naftës,  liberalizmit Todi- Fadil, sabotatorëve në ekonomi, etj, ishin një imitim i shëmtuar i krimeve të Stalinit. Enveri ishte një paranojak, me maninë e persekutimit që, i kapluar nga sindroma se ishte i rrethuar nga komplotistë, e shfarosi elitën e Byrosë Politike, që të gjente përkohësisht rehatinë pranë mediokritetit të Lenkës, Muhos, Palit, ministrave të Brendshëm  me kurse partie, të cilëve do t’u vinte koha e eliminimit, sikur të rronte më gjatë, pas prillit të 1985-s.
Ai vdiq, por mbeti hija e tij e zezë, mendësia enveriste.
Pa u zhbërë kjo mendësi, populli shqiptar ka për të mbajtur në kurriz gurin e Sizifit, në ecjen e tij të natyrshme drejt demokracisë perëndimore.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›