“Përpjekje për të falsifikuar dokumente pronësie”, Lame thirrje qytetarëve: Verifikoni origjinalitetin

Kreu i Kadastrës, Artan Lame, i ka bërë thirrje qytetarëve të tregohen të kujdesshëm, të verifikojnë certifikatën pronësisë në rastin e blerjes së një prone. Nga zyrat e drejtorisë në Tiranë, Lame tha se janë identifikuar disa përpjekje për të falsifikuar dokumente pronësie të cilat do të denoncohen në Prokurori.
Drejtuar qytetarëve, Lame tha se në certifikatë mund të skanojnë kodin QR që i dërgon menjëherë tek dokumenti origjinal, ndërsa u kërkoi atyre që për të gjitha veprimet që lidhen me pronën e tyre t’i drejtohen avokatit dhe noterit të besuar. Kreu i Kadastrës nxiti qytetarët të aplikojnë pranë zyrave të Kadastrës për të kërkuar informacion paraprak në rast të blerjes së pronave.
“Gjej rastin t’ju bëj thirrje masës së qytetarëve të ndershëm që, të tregojnë kujdes kur blejnë prona apo kryejnë veprime me pronat e tyre. Jo çdo copë letre që ju jepet në dorë nga lloj-lloj xhambazësh, është çertificate pronësie. Në të gjitha rastet kur ju duhet të bëni veprime të tilla, drejtojuni avokatit tuaj të besuar apo noterit, tasi këta janë persona që mbajnë përgjegjësi ligjore për veprimin që kryejnë. Mbi të gjitha, aplikoni pranë zyrave të Kadastrës për të kërkuar informacion paraprak që është më i sigurti”, tha kreu i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.
/rtsh.al/