Përpjekjet e këshilltarëve të Zogut për të hapur BBC në shqip
Kur arritëm në Angli mësuam se asnjë radio angleze nuk jepte lajme në gjuhën shqipe, për faktit se publiku që fliste shqip ishte shumë i kufizuar, dhe qëndrimi i aleatëve kundrejt Italisë deri më 10 Qershor e shpjegon këtë mungesë. Por kjo mungesë ishte dhe në Francë, megjithëse u munduam ta ndreqim, por nuk ia arritëm kurrë.
Në Angli mungesa na dukej e keqe për Shqipërinë, dhe si shenjë e mos-interesimit të qeverisë mbi çështjen shqiptare. U munduam pra ta ndreqim këtë edhe në Angli dhe për një kohë të gjitha energjitë tona u bashkuan te ky drejtim. Zoti Dervish Duma (shen. red. sekretar i Legatës në Londër) por sidomos Anton Logoreci, ishin munduar para nesh me anën e miqve të tyre. Nga ana jonë në këtë drejtim u mundua shumë Qazim Kastrati dhe Tajar Zavalani. I pari me anën e miqve të tij, z. H.Hodgkinson, i cili kishte një nënpunësi në partinë liberale angleze dhe z.Gregory, i cili punonte në seksionin Grek të BBC-së. Edhe i dyti (Tajar Zavalani) përdori miqtë e tij z.E.Bure dhe çdo njeri tjetër, i cili i vinte përdoresh. Më së fundi, gjatë luftës greko-italiane, u pa nevoja dhe u krijua shërbimi i BBC-se në shqip. Këtë e pritën të gjithë me shumë kënaqësi si një sukses të madh. Por siç thashë, përveç parimit të krijimit të emisionit shqip, kishte edhe interesa personale në këtë çështje. Njerëzit që u mundonin të krijonin shërbimin shqip në BBC, mundoheshin gjithashtu të siguronin një punë për veten e tyre, e cila do tu siguronte jetën në një kohë që secili prej nesh e kishte kuptuar tashmë, që nuk mundej të mbante shpresa financiare nga Mbreti. Ishte një gjë e pranuar prej të gjithëve, që z.Logoreci duhej të hynte i pari në këtë shërbim. Gjendja e tij financiar dhe dijenia e tij mbi gjuhën Angleze dhe Shqipe, ja jepnin këtë të drejtë. As unë dhe as z.Naçko nuk mund të synonim një punë të tillë sepse nuk e dinim anglishten. Ky mendim u provua i gabuar kur z.Zavalani e mori punën, megjithëse nuk e dinte anglishten. Zoti Duma kishte punën e vet dhe nuk deftonte ndonjë interes për të hyre në këtë shërbim. Kështu përpjekja u kufizua midis z.Kastrati dhe z.Zavalani dhe duke qenë se midis tyre ekzistonte armiqësia, “lufta” për të hyrë në shërbimin shqip në BBC mori një formë shumë të ashpër. Në këtë mes, ne të tjerët ishim në favor të z.Zavalani. Na dukej më i zoti për këtë punë gazetarie dhe kujtonim se do të punonte dhe i pavarur nga Mbreti. Z.Kastrati ishte atëherë vegla e verbër e Mbretit. Kështu, zoti Kastrati luftoi vetë që të hynte në BBC dhe e humbi davanë e vet.... Sidoqoftë, z. Zavalani u emërua në BBC edhe për arsye të metodave që përdori, mosmarrëveshja në mes nesh u shtua. Nga ana tjetër u provua se në disa qarqe angleze, të paktën Mbreti, quhej si një armik dhe njerëzit që e rrethonin mënjanoheshin nga ato qarqe vetëm për këtë arsye. Këtë qëndrim kundra rrethit të Mbretit, BBC e mbajti me forcë deri në Maj 1944, kur u kërkoi zotërinjve Kastrati dhe Noçka të hyjnë në shërbimin e tij të përkohshëm.
Shpejt kuptuam se krijimi i shërbimit shqip në BBC ishte një fitim krejt relativ. Z. Zavalani realizoi se nuk ishte përveç se një “pionier” dhe se vetëm “fliste”, por nuk “vendoste” politikën e BBC-së. Jepte vetëm lajme të luftës, dhe këto ishin të shkruara me mënyrën që favorizonte pikëpamjen greke kundër çështjes shqiptare. Kjo ishte një politikë e BBC-së dhe ishte aq e vërtetë, sa folësit shqiptar, që nga vera e vitit 1941 parashikonin se një ditë mund të detyroheshin të jepnin dorëheqjen që të mos bëheshin organ anti-shqiptarë. Nuk kam dijeni se folësit shqiptarë kanë përdorur kërcënimin e dorëheqjes mbi ndonjë çështje kombëtare. Jo vetëm jepnin lajmet por filluan dhe të komentojnë duke mbrojtur pikëpamjet e BBC-së. Duke përfunduar, duhet pohuar se krijimi i shërbimit shqip të BBC-së, nuk na dha frutat që prisnim për çështjen kombëtare. BBC-ja nuk na ndihmoi as në fushën e vjetër që kishim shpresuar, d.m.th. që të na jepte pavarësinë financiare nga Mbreti. Tajar Zavalani, në kohën që punonte në BBC, merrte rrogë dhe tek Mbreti. Ai nuk e përdori pavarësinë që i siguroi BBC-ja për të qëndruar pranë Mbretit, me qëllim influencimin, por për arsye të tjera u nda nga ai. Në përfundim pra puna e BBC-së, e cila na u duk me aq rëndësi, u bë një punë e cila nuk hynte në shërbimin e çështjes shqiptare, por vetëm jetës private të dy shqiptarëve, të cilët duke siguruar jetën e tyre jo vetëm nuk kanë qenë të zotë t’i bëjnë të mira çështjes, por përkundrazi ata bënë veprime të marra të cilat nuk do t’i bënin kurrë në rast se ishin të varur nga Mbreti. Kjo puna e BBC-së solli edhe një pasojë të papritur. Kujtonim se po të hynte z. Qazim Kastrati në BBC, do ta përdornin në favor të Mbretit. Por kur të tjerët nuk mundën ta përdorin as kundra Mbretit, as në favor të Shqipërisë, provohet se frika jonë ishte e pathemeluar, por ndodhi e kundërta. Z. Kastrati duke mos hyrë në BBC u nda edhe nga Mbreti. Fakti që u përjashtua nga BBC-ja, e bindi zotin Kastrati se Anglia nuk e donte Mbretin, pra vendosi të mos ketë të bëjë më me të.