"Poeteka" e fundit për Futurizmin
Numri i fundit i "Poetekës", revistë për poezinë dhe kulturën poetike, e hedhur në qarkullim së fundi, i kushtohet përvjetorit të 100-të të lëvizjes letrare dhe artistike, të quajtur Futurizëm (1909 - 2009). Duke filluar nga editoriali i Arjan Lekës, kryeredaktor i revistës, me titull, "Ne jemi futuristë. Shokë të Marinetti-t...", aty përfshihen shkrime që japin një këndvështrim të shumanshëm të lëvizjes, për aq fusha arti që lëvruan futurizmin, veç letërsisë, edhe në teatër, arte pamore, arkitekturë etj., si dhe llojet e futurizmit sipas gjeografisë, nga Italia vendi i lindjes prej Tommaso Marinett-it, tek futurizmi rus, me përfaqësues si Velimir Hljebnikov, Vladimir Majakovski.
Numri i 14-të i "Poetekës", e cila mban emrin e festivalit ndërkombëtar të poezisë që mbahet në vjeshtë në Shqipëri, ka në vijim poezi në shqip, ese, përkthime dygjuhëshe përballë origjinalit, kritikë letrare dhe prozë.
Ndërsa ilustrimet e këtij numri janë të Elisabeth Chabuel-it, nga cikli "Dhelpërushi", në përkthimin e Mira Meksit.