E Diel, 1 Nëntor 2026

Përplasen dy trena në Republikën Çeke, dhjetëra të plagosur

Një aksident i rëndë hekurudhor ndodhi të enjten në mëngjes në Republikën Çeke, ku dy trena pasagjerësh u përplasën pranë qyteteve Zliv dhe Divcice, afër Ceske Budejovice (Budweis), rreth 132 kilometra në jug të Pragës.

Sipas autoriteteve, të paktën pesë persona u plagosën rëndë dhe mbi 40 të tjerë pësuan lëndime të lehta. Të gjithë pasagjerët u evakuuan menjëherë nga vendngjarja.

Një zëdhënëse e spitalit rajonal konfirmoi se pesë të lënduarit rëndë janë shtruar për trajtim.

Ministri i Transportit, Martin Kupka, deklaroi se aksidenti është ende nën hetim, por të dhënat paraprake sugjerojnë se njëri nga trenat mund të ketë kaluar një sinjal ndalimi.

Në operacionin e shpëtimit morën pjesë shtatë ambulanca dhe një helikopter emergjence, ndërsa për pasagjerët u vendos një shërbim zëvendësues me autobus.

Treni ekspres i përfshirë në aksident po udhëtonte në linjën midis Budweis dhe Pilsen.

Republika Çeke ka një nga rrjetet hekurudhore më të dendura në Evropë, por modernizimi i linjave të vjetra dhe instalimi i sistemeve të avancuara të sigurisë po ecën me ritme të ngadalta, duke rritur shqetësimet për sigurinë e udhëtarëve.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›