Rreziku nga ROBLOX, ekspertët: Mbroni fëmijët nga rreziqet online, më shumë veprim dhe ndërgjegjësim nga prindërit dhe institucionet

Në një kohë kur fëmijët po kalojnë gjithnjë e më shumë kohë në platformat dixhitale, rreziqet online janë bërë shqetësim serioz për prindërit dhe institucionet. Ngjarjet e fundit në SHBA, ku autoritetet po hetojnë abuzime ndaj të miturve brenda lojës online, ROBLOX, ka ndezur alarmin edhe në vendin tonë.
Ekspertët e sigurisë kibernetike paralajmërojnë se prindërit duhet të jenë të kujdesshëm ndaj mënyrës se si fëmijët navigojnë në botën dixhitale. Aktivizimi i filtrave të sigurisë, kufizimi i komunikimit me persona të panjohur dhe kontrolli i cilësimeve të lojërave apo aplikacioneve janë hapat e parë për të shmangur rrezikun, sipas ekspertëve.
Në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH, avokatja Eranda Gjonaj theksoi se çdo dyshim për abuzim apo mashtrim duhet të raportohet menjëherë, fillimisht brenda platformës dhe më pas në institucionet përkatëse.
“Nëse një i mitur ka rënë pre e një abuzimi, hapi i parë është raportimi brenda vetë platformës dhe më pas te autoritetet. Nëse familja nuk di ku të drejtohet, mund të njoftojë edhe shkollën, e cila mund ta orientojë drejt policisë. Gjithashtu mund të raportohen raste online në faqen e Policisë së Shtetit, në komisariat ose në prokurori. Mjafton t’i drejtohesh një institucioni, pasi çdo institucion ka sektorë që merren me mbrojtjen e të miturve – qoftë bashkia, qoftë shkollat.
Mungesa e informacionit është hapi i parë që i bën prindërit të stepën, si edhe pasiguria se nuk kanë besim që çështjes do t’i shkohet deri në fund. Këto platforma i ekspozojnë fëmijët edhe ndaj rreziqeve të tjera, por ekzistojnë mekanizma mbrojtës si parandalues ashtu edhe për trajtimin e pasojave.
Parandalimi është më i mirë se korrigjimi i pasojave. Prindërit duhet të jenë të kujdesshëm dhe të monitorojnë të gjitha rrjetet online dhe platformat ku përfshihen fëmijët e tyre”, tha avokatja.
Edhe studiuesja e Krimit Kibernetik, Migena Buzra u shpreh se mungesa e informacionit dhe ndjenja e pasigurisë i pengojnë prindërit të veprojnë në kohë. Ndaj, ajo apelon për më shumë ndërgjegjësim dhe edukim dixhital në familje dhe shkolla.
“Zhvillimi digjital ka sjellë impakt të madh social, jo vetëm për institucionet dhe bizneset, por edhe në familjet tona. Prindërit luajnë rolin kyç në menaxhimin e platformave ku fëmijët angazhohen. Ata duhet të kontrollojnë jo vetëm platformën, por edhe konfigurimet e saj: çaktivizimin e chat-eve, mesazheve, si dhe opsionet ku lojës mund t’i bashkohen persona të panjohur—të cilët mund të jenë edhe abuzues. Shumë prindër nuk e kanë këtë informacion, edhe pse së fundmi po rritet ndërgjegjësimi. Megjithatë, në vendin tonë mungon një strukturë e posaçme që t’i informojë prindërit se çfarë duhet të bëjnë për të mbrojtur fëmijët gjatë përdorimit të platformave online”, tha Buzra.
Ajo paralajmëroi se rreziku mund të vijë nga çdo vend i botës, prandaj kontrolli dhe komunikimi me fëmijët janë thelbësorë.
“Të gjitha platformat kanë filtra sigurie, por herë pas here ato anashkalohen. Platformat ofrojnë dhurata dhe monedha virtuale, dhe mashtruesit kanë avancuar metodat e tyre për të manipuluar të miturit.
Rasti i Floridës është një alarm i madh. Të gjitha vendet duhet të marrin masa që shkojnë përtej kufijve, pasi një keqdashës mund të jetë në një shtet krejt tjetër. Ka pafund platforma me algoritme shumë agresive ndaj të miturve, me mesazhe direkte dhe mundësi krijimi llogarish me e-mail të rremë, ku kushdo mund të paraqitet si një moshë krejt tjetër. Prandaj prindërit duhet të informohen, të flasin me fëmijët dhe të vendosin filtrat mbrojtës”, tha Buzra.
Ekspertët pajtohen se parandalimi është arma më e fortë, ndërsa institucionet duhet të rrisin ndërgjegjësimin ndaj rrezikut, si dhe edukimin e fëmijëve mbi sigurinë online.
/rtsh.al/