Përplasja në Komisionin e Medias, Aleanca e Grave Parlamentare: Bardhi dhe Noka të vihen para përgjegjësisë

Aleanca e Grave Parlamentar ka reaguar pas tensioneve të regjistruara dje (18 janar) në Komisionin e Medias, ku deputetët demokratë, Gazment Bardhi dhe Flamur Noka, debatuan ashpër me kryetaren e komisionit, Flutura Açka.
Në deklaratë e tyre, Aleanca e Grave Parlamentare akuzon Bardhin dhe Noka për dhunë ndaj Açkës, duke e konsideruar të papranueshme. Ato kërkojnë vënien e tyre para përgjegjësive.
“Aleanca e Grave Parlamentare dënon me ashpërsi dhunën dhe intimidimin e ushtruar dje në Komisionin e Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik ndaj Kryetares znj. Flutura Açka dhe kolegeve tona deputete anëtare në këtë komision! Dhuna është një akt që tregon dëshpërim. Përdoruesit e dhunës tregojnë hapur pamundësinë e tyre për të pranuar se ka mendim ndryshe, qëndrim ndryshe. Dhuna ndaj grave është të mos kuptosh më vetitë më të rëndësishme njerëzore dhe të futesh në një tunel errësire. Ne gratë deputete, shprehim indinjatë të thellë për atë që ndodhi dje si dhe për gjithë klimën e linçimit dhe përbaltjes së grave dhe kërkojmë vënien para përgjegjësive të autorëve të kësaj dhune”, thuhet në reagim.
Duke shprehur që skena të tilla të mos përsëriten më, ato kërkojnë që Kuvendi të kthehet në “shinat e normalitetit” dhe të gjithë deputetët të bëjnë detyrën për të cilën qytetarët i kanë votuar.
“Ne besojmë te politika e arsyes, e mendjes dhe e argumenteve të qarta dhe refuzojmë errësirën e së paarsyeshmes, dhunën që vjen si pasojë e mungesës së argumenteve. Ne dënojmë aktet e dhunshme dhe shpresojmë që jo vetëm të mos përsëriten më, por Kuvendi të kthehet në shinat e normalitetit dhe të gjithë deputetët të bëjnë detyrën për të cilën qytetarët i kanë votuar. Ne i sigurojmë qytetarët shqiptarë e në veçanti gratë shqiptare se do vijojmë të jemi zëri i tyre në Parlamentin e Shqipërisë dhe do të refuzojmë e përballemi me çdo akt dhune dhe që frymëzon dhunë ndaj grave”, përfundon deklarata.
Mbledhja e djeshëm e Komisionit të Medias u ndërpre për shkak të tensioneve dhe debateve. Deputetët e opozitës nuk lejuan vijimin e mbledhjes duke i rënë bilbileve, ndërsa Bardhi dhe Noka akuzuan Açkën se po bëhej palë me maxhorancën. Në një moment, Noka i heq edhe mikrofonin Açkës.
/rtsh.al/