Përplasje SHBA- BE në Mynih/ JD Vance mbështet ekstremin e djathtë, Scholz: Po ndërhyni në zgjedhje

Një ditë pas kritikave të zëvendëspresidentit të SHBA-ve, JD Vance, ndaj liderëve evropianë për qasjen e tyre ndaj demokracisë ka reaguar kancelari gjerman Olaf Scholz.
“Gjermania është një demokraci shumë e fortë, dhe si një demokraci e tillë, ne jemi të qartë se ekstremi i djathtë duhet të qëndrojë jashtë kontrollit politik dhe proceseve të marrjes së vendimeve, dhe se nuk do të ketë bashkëpunim me ta”, tha Olaf Scholz.
Ndërsa Vance ishte në mbështetje të partisë së ekstremit të djathtë Scholz theksoi se nuk do të lejoj askënd që të ndërhyjë në zgjedhjet e vendit të tij.
“Ne nuk do të pranojmë që të huajt të ndërhyjnë në demokracinë tonë, në zgjedhjet tona dhe në procesin e formimit të opinionit demokratik në favor të kësaj partie, veçanërisht jo miqtë dhe aleatët. Ne e refuzojmë me vendosmëri këtë. Ne do ta përcaktojmë vetë të ardhmen e demokracisë sonë”, shtoi kancelari gjerman.
Komentet e Scholz vijnë në një moment kur marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Brukselit janë në një fazë të tensionuar, me ndryshime të rëndësishme në politikën amerikane ndaj Evropës dhe Ukrainës.
Kritikat e Zëvendës presidentit të SHBA-ve një ditë më parë ndaj qëndrimit të qeverive evropiane kundër partive të së djathtës ekstreme habitën shumë pjesëmarrës, pasi ai pretendoi se Evropa po braktis “vlerat e përbashkëta demokratike.
Pas fjalimit të tij, Vance u takua në Mynih me bashkë-kryetaren e AfD-së, Alice Ëeidel, duke shprehur mbështetje vetëm një javë para zgjedhjeve parlamentare të Gjermanisë, të cilat mbahen më 23 shkurt. Kjo është konsideruar si një shkelje të normave diplomatike. /vizionplus.tv