E Hënë, 2 Nëntor 2026

Përplasje diplomamtike, presidenti kolumbian akuzon SHBA-në se goditi anije me qytetarë kolumbianë; Shtëpia e Bardhë i quan ‘të pabazuara’

Marrëdhëniet mes Kolumbisë dhe Shteteve të Bashkuara janë tensionuar pas akuzave të forta nga Presidenti kolumbian, Gustavo Petro, se një anije e bombarduar së fundmi nga forcat amerikane mbante “kolumbianë me qytetarë kolumbianë brenda”. Kjo vjen pasi SHBA-të konfirmuan sulme ndaj të paktën katër anijeve në Karaibe gjatë javëve të fundit, duke shkaktuar vdekjen e 21 personave.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e konfirmoi sulmin e fundit më 3 tetor, duke postuar një video në platformën e tij Truth Social, ndërsa qeveria amerikane ka thënë se sulmet në ujërat ndërkombëtare kishin në shënjestër “trafikantët e drogës”.

Akuzat e Petros: “Skenar i ri lufte”

Presidenti Petro iu përgjigj akuzave në platformën X, duke pretenduar se “të dhënat tregojnë se anija e fundit e bombarduar ishte kolumbiane me qytetarë kolumbianë brenda saj”.

Petro e quajti situatën një “skenar i ri lufte: Karaibet” dhe u shpreh se nuk bëhet fjalë për një luftë kundër kontrabandës, por për një luftë “për naftë”, duke shtuar se: “Agresioni është kundër të gjithë Amerikës Latine dhe Karaibeve.” Ai u bëri thirrje familjeve të viktimave të raportojnë rastet.

Petro, duke folur në Forumin Global të Portës së BE-së në Bruksel, njoftoi se ka kërkuar që të gjithë ministrat e jashtëm të Karaibeve të takohen për të diskutuar lidhur me sulmet.

Reagimi i Shtëpisë së Bardhë: “Deklaratë e pabazuar”

Shtëpia e Bardhë iu përgjigj menjëherë akuzave të Petros, duke i quajtur ato “të pabazuara dhe të dënueshme”.

Në deklaratën e saj, Shtëpia e Bardhë tha se “pret me padurim që Presidenti Petro të tërheqë publikisht deklaratën e tij të pabazuar”, duke theksuar megjithatë se SHBA-të mbeten të përkushtuara për bashkëpunim të ngushtë me Kolumbinë për sigurinë rajonale.

Ndarja në Kongresin Amerikan

Paralelisht me këtë zhvillim, Senati i SHBA-së hodhi poshtë një masë, e cila do të kërkonte miratimin e Kongresit për përdorimin e forcës ushtarake kundër anijeve në Karaibe. Masa, e prezantuar nga senatorët demokratë Adam Schiff dhe Tim Kaine, u refuzua me një votim 48-51, kryesisht sipas vijave partiake.

Administrata Trump e ka justifikuar përdorimin e forcës duke kategorizuar veprimet e saj si pjesë e një “konflikti të armatosur jo-ndërkombëtar”, duke i dhënë vetes kompetenca më të gjera në reagimin ndaj karteleve, të cilat tashmë janë cilësuar si organizata terroriste.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›