Përplasje mes Trump dhe Medvedev, presidenti amerikan reagon ashpër ndaj paralajmërimeve të ish- presidentit rus

Një shkëmbim fjalësh i ashpër ka ndodhur mes Presidentit amerikan, Donald Trump, dhe ish-presidentit rus, Dmitry Medvedev, pasi ky i fundit paralajmëroi se çdo “ultimatum” nga Shtetet e Bashkuara ishte një hap drejt luftës.
Në një postim në platformën sociale Truth, Trump e cilësoi Medvedev si një “ish-president të dështuar të Rusisë” dhe i bëri thirrje të “ketë kujdes me atë që thotë”, duke shtuar se po “hyn në një territor shumë të rrezikshëm”. Përgjigja e Trump erdhi pasi Medvedev kishte paralajmëruar në X (dikur Twitter) disa ditë më parë se “çdo ultimatum nga SHBA-të është një hap drejt luftës”.
Trump e theksoi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia nuk kishin pothuajse asnjë marrëdhënie tregtare. Ai pohoi se nuk e shqetësonte marrëdhënia tregtare mes Indisë dhe Rusisë, duke shtuar se këto dy vende mund të “shkatërrojnë ekonomitë e tyre” për sa i përket atij.
Reagimi i Medvedev ishte i shpejtë, duke u përgjigjur në Telegram. “Nëse disa fjalë të ish-presidentit rus provokojnë një reagim kaq nervoz tek një president kaq i frikshëm amerikan, kjo do të thotë se Rusia ka të drejtë për gjithçka dhe do të vazhdojë të ndjekë rrugën e vet,” shkroi ai.
/rtsh.al/