Qeveria miraton skemën e garancisë shtetërore për bujqësinë në vlerën 3 miliardë lekë

Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim të rëndësishëm për mbështetjen e sektorit të bujqësisë, duke dhënë një garanci shtetërore të huas në vlerën e 3 miliardë lekëve.
Kjo skemë garancie synon të lehtësojë aksesin në kredi për subjektet e sektorit të bujqësisë. Garancia shtetërore do të lëshohet në favor të njëmbëdhjetë bankave tregtare të nivelit të dytë në Shqipëri, duke përfshirë:
Banka Raiffeisen
Banka e Bashkuar e Shqipërisë
Banka Kombëtare Tregtare
Banka Tirana
Banka Intesa Sanpaolo Albania
Banka Procredit
Banka Amerikane e Investimeve
Banka e Parë e Investimeve Albania
Banka Credins
Banka OTP Albania
Banka Union
Ministri i Financave është autorizuar të nënshkruajë marrëveshjet e garancisë me këto banka, bazuar në një marrëveshje tip.
Për ndjekjen dhe administrimin e kësaj skeme, janë ngarkuar Agjencia për Menaxhimin e Garancive dhe Kredive të Pakthyera dhe Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural.
Kjo masë vjen si një nismë e përbashkët e Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, me qëllim mbështetjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të sektorit bujqësor në vend.
/rtsh.al/