E Enjte, 5 Nëntor 2026

Përplasje në PD për kandidatët/ Alibeaj kërkon të garojë në 61 bashki, grupi tjetër e kundërshton

Një ditë para se të skadojë afati për dorëzimin e listave me kandidatët për zgjedhjet lokale të 14 majit, grupi i demokratëve që mban logon zyrtare të PD ende nuk ka një vendim si do të garojë në këtë betejë elektorale.

Të shtunën kryetari në detyrë i PD Enkelejd Alibeaj mblodhi fillimisht kryetarët e degëve, më pas ai takoi 17 kandidatët për kryetarët e bashkive dhe në fund mblodhi kryesinë. Takimet përfunduan në orën 2 të mëngjesit pa asnjë konkluzion se si logoja e PD do të paraqitet në zgjedhje.

Debatet më të ashpra janë zhvilluar në mbledhjen e kryesisë, pasi ajo është ndarë në dy grupime.

Enkelejd Alibeaj i mbështetur nga Oriola Pampuri, Kreshnik Collaku, Roland Bejko, Fitim Zekthi e Jonila Godole, kërkoi që të garohet në të 61 bashkitë me kandidatë për kryetarë dhe këshilla bashkiakë.

Por ata janë përballur me kundërshtimin e fortë të Gazment Bardhit, Jorida Tabakut, Dhurata Çupit, Flamur Hoxhës, të cilët kërkuan që PD të mos nxjerrë kandidatë për kryetarë bashkie, por vetëm për këshillin bashkiak.

Ky grup demokratësh kërkon që të mbështeten kandidatët e zgjedhur nga primaret, në mënyrë që vota e opozitës të mos përçahet dhe të mos favorizohet mazhoranca dhe lideri i saj Edi Rama.

Propozimi për të mos nxjerrë kandidatë në asnjë bashki është rrëzuar me shumicën e votave të kryesisë, pasi vetëm këta 4 deputetë kanë votuar pro.

Por pavarësisht kësaj Enkelejd Alibeaj nuk ia ka dalë të miratojë vendimin për të garuar në të gjitha bashkitë. Debati është ashpërsuar kur kanë filluar të diskutohen bashkitë një e nga një, pasi një prej figurave më të njohura të PD, Jorida Tabaku e ka bërë të qartë se nuk do të mbështesë asnjë kandidat në tiranë, përballë Belind Këlliçit.

Sot pasdite kryesia do të mblidhet sëish për të diskutuar në cilat bashki do të dalin kandidatë me logon e PD dhe në cilat jo, e mbetet për tu parë se cili grupim do të fitojë: grupi i Enkelejd Alibeajt apo ai i Gazment Bardhit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›