E Hënë, 2 Nëntor 2026

Përplasje në seancën e “Plumbit të Artë”, avokatët kërkojnë deklarimet e plota të Erjon Alibejt

Është zhvilluar mes debateve të forta seanca në GJKKO për dosjen “Plumbi i Artë”.

Shkak për përplasjen mes avokatëve të të pandehurve dhe prokurorëve të çështjes u bënë deklarimet e të penduarit të drejtësisë, Erjon Alibej, që avokatët i kërkuan të plota. Ndërkohë prokurori Behar Dibra këmbënguli se një pjesë e deklarimeve nuk i përkasin kësaj dosjeje dhe nuk janë firmosur nga të gjitha palët, ndaj nuk janë përfshirë as në fashikuj.

Në lidhje me këtë kërkesë u shpreh edhe vetë i penduari i drejtësisë. 

“Kam dhënë një deklarim shumë të madh, kam përmendur shumë njerëz. Kam familjarë jashtë që u rrezikohet jeta. Do ju lutesha që deklarimet e mia të mëparshme të mos i viheshin në dispozicion avokatëve. Avokatëve nuk u intereson çfarë kam thënë unë, por kanë interes për kundërshtarët tanë që janë jashtë,” deklaroi bashkëpunëtori i drejtësisë, Alibej.

Por kjo deklaratë e agravoi situatën dhe të pandehurit u larguan nga salla. 

Pavarësisht pranimit të kërkesës së avokatëve për dorëzimin e procesverbaleve, debatet mes palëve vijuan me tone të larta. Seanca u ndërpre pas largimit të avokatit Gentjano Rumano, i cili u gjobit me 100 mijë lekë nga gjykata.

Seanca do të rinisë më 8 korrik me dëshminë e Skerdi Tases.

Gazetare: Lusi Përgjegji

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›