Përplasje te Kryeministria dhe sheshi “Skënderbej”, protestuesit hedhin gurë e molotovë, policia i shpërndan me ujë e gaz lotsjellës

TIRANË, 20 tetor /ATSH/ Protestuesit u mblodhën sot pasdite para godinës së Kryeministrisë, në ditën e tetë të tubimeve, duke përsëritur thirrjet për dorëheqjen e Ramës dhe ndryshimin e kastës politike.
Protesta nisi pa tensione të shtuara dhe pa përplasje mes të rinjve dhe efektivëve të Policisë.
Të vendosur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, një grup prej protestuesve shkuli stacionin e autobusëve urbanë që ndodhet në afërsi të godinës së Kryeministrisë. Ndërsa, disa të tjerë shkulën dy kosha basketbolli pranë busteve të Vëllezërve Frashëri, duke i vendosur në bulevard si pengesa për mjetet e policisë.
Me thirrje dhe pankarta në duar, protestuesit qëndruan në mes të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa përballë ishin të pozicionuar efektivët e Policisë.
Pas më shumë se tri orë qëndrim në bulevardin “Dëshmorêt e Kombit” u shënuan tensionet e para mes protestuesve dhe efektivëve.
Një grup të rinjsh hodhën molotovë në drejtim të godinës së Kryeministrisë.
Më pas, protestues të maskuar hodhën gurë drejt policisë. Efektivët iu kundërpërgjigjën me gaz lotsjellës dhe ujë me presion për shpërndarjen e turmës.
Policia u vu në ndjekje të grupeve të protestuesve të cilët u shpërndarë në zona të ndryshme të Tiranës. Te zona e 9-katësheve, Policia përdori ujë me presion për shpërndarjen e turmës.
Disa protestues i vunë flakën koshave të mbeturinave te bulevardi “Zogu i Parë” duke i zhvendosur në mes të rrugës e duke krijuar kaos në qarkullimin e makinave.
Situata u tensionua sërish para Kryeministrisë, ku protestuesit u përplasën me efektivët e Policisë, të cilët përdorën ujë me presion, spraj me piper dhe gaz lotsjellës, për t’i shpërndarë.
Pas përdorimit të sprajit dhe gazit lotsjellës nga Policia, disa vajza janë ndjerë keq.
Tensionet vazhduan pranë zonës së Katedrales Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”, ku protestuesit hodhën molotovë dhe fishekzjarre në drejtim të forcave të policisë.
Njëherësh, Policia nisi shoqërimet e para të protestuesve.
Ata u rikthyen përsëri në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku pati sërish tensione përpara godinës së Kryeministrisë, teksa Policia i ka shpërndarë me ujë me presion dhe gaz lotsjellës.
Protesta, dita e tetë 1 nga 49/e.i/r.e/