Përplasjet në protestë, Demo: Pezullohen dy efektivë, prindërit mos i lejojnë minorenët që përdoren nga politika e mbrapshtë

TIRANË, 16 tetor /ATSH/ Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, deklaroi se dy punonjës policie janë pezulluar nga detyra pas rasteve të tejkalimit të kompetencave, të evidentuara përmes pamjeve të publikuara në media dhe rrjetet sociale.
Demo bëri të ditur se kishte kërkuar menjëherë nga strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit verifikimin e rasteve dhe marrjen e masave përkatëse.
“Falënderoj Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për masat e pezullimit të 2 punonjësve në fjalë”, u shpreh ministri.
Ai theksoi se, gjatë tri ditëve të fundit, Policia e Shtetit është përballur me një situatë të vështirë, duke akuzuar organizatorët e protestave se kanë nxitur akte dhune ndaj policisë, institucioneve, bizneseve dhe pronës private.
Demo nënvizoi se i ka kërkuar vazhdimisht Policisë së Shtetit që reagimi ndaj situatave të dhunshme të jetë proporcional dhe në përputhje me ligjin.
“Ligji absolutisht do të jetë i barabartë për të gjithë, si për ata që, të motivuar politikisht, dhunojnë me synimin për të krijuar kaos në Shqipëri, ashtu edhe për uniformat të cilat tejkalojnë kompetencat e ligjit”, deklaroi ai.
Ministri theksoi se çdo shkelje e konstatuar nga punonjësit e policisë do të marrë përgjigjen e merituar në përputhje me ligjin, duke shtuar se profesionalizmi i Policisë së Shtetit matet si me garantimin e rendit dhe sigurisë publike, ashtu edhe me respektimin e ligjit dhe dinjitetit të qytetarëve.
Në videomesazhin e tij, Demo iu drejtua edhe prindërve të të miturve që marrin pjesë në akte të dhunshme, duke u bërë thirrje të bisedojnë me fëmijët dhe të mos lejojnë që ata të përfshihen në veprime të tilla.
“Dua sot të bëj edhe një apel mbi të gjitha për prindërit e atyre minorenëve, të cilët marrin pjesë në aktet e dhunshme. Flisni me fëmijët, mos i lejoni ata të përdoren nga politika e mbrapshtë dhe as të rriten duke u edukuar se rruga për të fituar kalon nëpërmjet dhunës”, u shpreh ministri.
Në përfundim, Demo siguroi qytetarët se institucionet do të vijojnë të garantojnë rendin dhe sigurinë publike, ndërsa theksoi se shteti i së drejtës do të triumfojë.
/e.xh/