E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përrenjasi me ujë shumë, në "luftë" për burimin

Fati i ka buzëqeshur një fshati në rrethin e Librazhdit, qëkurse u hap tuneli hekurudhor i Qafëthanës, rreth 30 vjet më parë. Jo pak, por 360 litra ujë në sekondë dalin nga gryka e tunelit, aq sa të mbytet Përrenjasi, fshatrat rreth tij dhe Librazhdi. Ky fat i ra Rrajcës, fshatit në kufi me Maqedoninë, rreth 10 kilometra larg qytetit të Përrenjasit. Ndërsa banorët e këtij fshati kufitar iu gëzuan ujit të pamasë, askush nuk e kishte besuar se mes tyre, fshatrave fqinjë dhe Bashkisë së Përrenjasit, pikërisht uji me bollëk do të bëhej një ditë burim konflikti. Problemet për shpërndarjen dhe shfrytëzimin e ujit të pijshëm në këtë fshat nisin këtu e 10 vjet më parë, ndërsa organet vendore në fshat e komunë, ose kanë qëndruar indiferente, ose nuk kanë qenë në gjendje t‘i japin zgjidhje problemit. Gjysma e fshatit e shpërdoron ujin për vaditje edhe për të pirë, gjysma tjetër mbetet e etur edhe në dimër. Në mungesë të menaxhimit të pasurive ujore, "të fortët" e këtij fshati kanë bllokuar tubat kryesorë në depon rreth 200 metra në thellësi të tunelit, duke e shfrytëzuar atë për vaditje, për kultivimin e peshkut dhe për lavazhe makinash. Sipas statistikave të komunës, janë bërë 54 lidhje të jashtëligjshme për vaditje, janë ngritur pa leje mbi 40 vaska të kultivimit të peshkut, ndërsa qëndrojnë hapur për 24 orë, mbi 30 lavazhe makinash. E tërë sasia e ujit që shkon në këto tri drejtime ka lënë gjysmën tjetër të fshatit pa ujë, sikurse edhe fshatrat fqinje, Kotodesh, Katjel, Përrenjas Fshat dhe qytet, si dhe disa fshatra përballë fushës së Domosdovës.

"Kemi kërkuar ndihëm e Policisë dhe të Prefekturës së Elbasanit, por asnjëra dhe as tjetra nuk kanë mundur ta shuajnë këtë konflikt dhe t‘i japin këtij problemi një zgjidhje të drejtë", thotë Maliq Alla, sekretari i këshillit të Komunës së Rrajcës. Sipas tij, mungesa e zbatimit të ligjit dhe pamundësia e organeve të komunës për ndërhyrje, ka bërë që konflikti për ujin të shndërrohet në kacafytje të herëpashershme mes banorëve të këtij fshati.

Në pikën shpërndarëse, në hyrje të tunelit të Qafëthanës, që ruhet vetëm me një roje private, janë lidhur pa leje me qindra tuba plastikë, që zbresin poshtë shpatit të Urakës për të furnizuar kanalet vaditëse, vaskat e peshkut dhe lavazhet e makinave. Ndërsa nga pala e pakënaqur, ndërhyrja është bërë në depon kryesore, duke ngushtuar hapësirën e saj me gurë të hedhur brenda. Dje në mesditë, rreth 200 banorë, përfaqësues të shtatë fshatrave, kanë protestuar në qendër të Komunës së Rrajcës, për t‘u kërkuar organeve shtetërore ndërhyrjen për administrimin e drejtë të ujit të pijshëm, si dhe aplikimin e gjobave apo dhe ndërprerjen e furnizimit për kundërvajtësit.

"Ne, kryetarët e fshatrave, jemi përpjekur ta zgjidhim këtë problem me marrëveshje, pasi ujë ka me tepricë", thotë Ali Dashi, kryetar i këshillit të fshatit Rrajcë. Ndërsa sekretari i komunës, Alla, ka shtuar se edhe Bashkia e Përrenjasit, që nuk ka asnjë të drejtë ligjore për pasuritë e komunës së tyre, ka miratuar vendime të saj për shfrytëzimin e ujit për interesa të grupeve të veçanta të biznesit në këtë qytet. Protestuesit e shtatë fshatrave i kanë dorëzuar dje një peticion policisë dhe prefekturës, për zgjidhjen e këtij konflikti, duke paralajmëruar se në të kundërt, ata do të bllokojnë tunelin hekurudhor të Qafëthanës, bashkë me depon kryesore të ujit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›