Nushi: Karburantet, çmimet janë ulur me 3 lekë/litri
Pika të tregtimit të naftës me pakicë në Tiranë kanë reflektuar për të ulur çmimin, si rrjedhojë e rënies në bursat ndërkombëtare. Gjatë ditës së djeshme janë parë disa pika që e shisnin naftën për 145 lekë/litri nga 148 lekë që ishte javën që shkoi. Sipas kryetarit të Shoqatës së Hidrokarbureve, Viktor Nushi, "reflektimi ka ardhur si rrjedhojë e uljes së çmimit për fuçi në bursat kryesore, ku nga 111 dollarë që regjistronte para dy javësh, tashmë ajo shitet për 102-103 dollarë për fuçi". Nushi shton për gazetën se, në ditët e ardhshme priten ulje të tjera të çmimit të karburantit në tregun e pakicës, jo vetëm në Tiranë, sikundër ka ndodhur dje. Pavarësisht kësaj, drejtuesit e automjeteve shprehen se, ulja mesatare me 3 lekë për litër, thjesht ka çuar nivelin çmimit në nivelin e mëparshëm, i cili konsiderohet tepër i lartë. Ndërkaq, nga një vëzhgim të shkurtër të bërë dje në bursat kryesore, rezulton se kanata sa vjen dhe shënon ulje të çmimit. Kështu, në bursën "Nymex" të Nju Jorkut, kontrata për muajin maj janë nënshkruar me çmimin 99,75 dollarë për fuçi, rreth 2,72 për qind më lirë në krahasim me dy ditë më parë. Ulja e çmimit të naftës ka ardhur kryesisht si rrjedhojë e forcimit të dollarit, si dhe shtimit të zërave spekulantë për një rritje të rezervës.