Bulqizë, protestë kundër prerjes së pyjeve
Banorë të fshatit Vajkal në rrethin e Bulqizës, prej disa ditësh protestojnë para Ndërmarrjes së Pyjeve të këtij rrethi, për prerjen e pyjeve me pisha mbi fshatin e tyre. Mbi 30 fshatarë, me në krye kryeplakun e këtij fshati, Mërgim Tançi, janë grumbulluar para Ndërmarrjes Pyjore, ku kanë protestuar për masakrën e prerjes së kurorës së pyjeve me pisha, mbi fshatin Vajkal, ngjitur me qytetin e Bulqizës. "Në kurorën e pyjeve me pisha, mbi fshatin tonë, një prej banorëve të këtij fshati është duke kryer një masakër të vërtetë, duke prerë në mënyrë të paligjshme drurët", thotë Dehar Duriçi, njëri prej protestuesve. Sipas tij, përveç dëmit të shkaktuar nga prerja e drurëve, zhdukja e pyllit, rrezikon fshatin edhe nga rënia e ortekëve, si dhe shterimi i burimeve të ujit të pijshëm. Por, këtij shqetësimi të ligjshëm të këtyre banorëve, për çudi, nuk i janë përgjigjur me të njëjtën monedhë drejtuesit e Ndërmarrjes Pyjore të këtij rrethi, të cilët e kanë refuzuar takimin me këta banorë.
Jashtë godinës së kësaj ndërmarrjeje ka dalë vetëm shefi i policisë pyjore, Bajram Bodini, i cili, pasi është njohur me shqetësimin e banorëve, ka deklaruar para tyre, se nuk di gjë për këtë problem, por po qe se është e vërtetë, do të fillojë procedimi për personat përgjegjës.
Ndërsa drejtori i kësaj ndërmarrjeje, Bajram Sollaku, as ka denjuar të presë fshatarët protestues, për të mësuar rreth shqetësimit të tyre. Kjo i ka indinjuar fshatarët, të cilët në pamundësi për të marrë një zgjidhje nga kjo ndërmarrje, që përgjigjet dhe paguhet për ruajtjen e mbarështrimin e pyjeve, kanë marrë takim me kryetarin e Bashkisë Bulqizë, Roland Keta.
Pas këtij takimi, kryeplaku i fshatit, Mergim Tançi, tha se kryetari i bashkisë ka premtuar se do të ndërhyjë pranë instancave shtetërore për zgjidhjen e problemit. Fshatarët shprehen se qëndrimi indiferent i pyjorëve, për prerjen e paligjshme të pishave, që në vijë ajrore nuk janë më larg se 500 metra nga godina ku ata ushtrojnë aktivitetin e tyre, të bën të dyshosh për përfshirje të tyre në këtë masakër ekologjike. "Krahas prerjeve nga banorët e zonës, edhe firmat private të shfrytëzimit të galerive të kromit kanë prerë pisha, të cilat i përdorin për armimin e galerive", tregon një fshatar i Vajkalit. "Drejtoria e Pyjeve, jo se nuk e di se çfarë po bëhet me kurorën e pishave mbi fshatin Vajkal, pasi masakrimi i pyllit ndodh nën hundën e tyre, por ata janë vetë të përfshirë në këtë masakrim", thotë një fshatar tjetër.
Gjatë vitit të kaluar, masivet pyjore të rrethit Bulqizë u përfshinë nga qindra vatra zjarresh, për muaj të tërë, duke u shkrumbuar mijëra hektarë pyje. Nuk mbeti zonë pyjore pa u përshkuar dhe shkrumbuar nga flakët. Vetëm në masivin pyjor të Tërnovës, flakët dogjën mbi 1200 hektarë me pyje ahu dhe pishe. Madje flakët nuk kursyen edhe kurorën e pyjeve me pisha në zonën turistike malore të Liqenit të Zi. Në asnjë rast këto zjarre nuk u vunë nën kontroll nga Ndërmarrja Pyjore, por u desh ndërhyrja e forcave të ushtrisë dhe në të shumtën e rasteve, fikja u bë në kushte natyrale.
Në të gjithë Qarkun e Dibrës, gjatë vitit që shkoi, u penalizuan 5 persona për zjarrvënie në pyje. Ndërsa në rrethin e Bulqizës, ku vatrat e zjarreve në pyje ishin më të mëdha se në dy rrethet e tjera, Dibër dhe Mat, asnjë person nuk u penalizua. Ministri i Mjedisit, Lufter Xhuveli, jo vetëm që nuk ka dhënë asnjë masë qoftë edhe administrative për punë të papërgjegjshme të pyjorëve të Bulqizës, por edhe i ka shpërblyer ata për "fikje" zjarresh, gjatë verës së vitit të kaluar.
Sinjalet e kësaj papërgjegjshmërie të pyjorëve të Bulqizës kanë rënë dukshëm edhe në dy muajt e parë të këtij viti, ku edhe pse akoma në dimër, janë regjistruar rënie zjarresh në pyje, në pesë raste dhe asnjëri prej tyre nuk është fikur nga pyjorët, por nga MKZ-ja e rrethit.