E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përse LSI është e kënaqur me Kodin?

Share

Nga Mero Baze

Lëvizja Socialiste për Integrim është e vetmja parti, përveç Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste, që ka përshëndetur kozmetikën e Kodit Zgjedhor. Bëhet fjalë për partinë që katër vjet më parë ishte kundërshtarja më e egër e këtij Kodi dhe që udhëhoqi një grevë urie në parlament kundër tij.

Disa kolegë të mi bëjnë sikur pyesin të çuditur pse LSI do të qëndrojë nën hijen e Berishës, kurse të tjerë vazhdojnë të ushqejnë iluzione se ajo do të dalë në opozitë. I gjithë ky është një arsyetim naiv. Lëvizja Socialiste për Integrim ka arsye të forta të jetë e gëzuar me Kodin, jo për shkak të Kodit, por për shkak të qëndrimit të saj politik. Kjo parti ka vendosur të qëndrojë në koalicion me Partinë Demokratike, dhe brenda atij koalicioni, formula e llogaritjes së mandateve i jep asaj një përparësi absolute duke ia rritur rëndësinë reale që ajo ka në elektorat. Brenda koalicionit LSI mund të dyfishojë numrin aktual të deputetëve, duke rritur shumë fuqinë e saj politike dhe faktorizimin si një aktor i rëndësishëm politik në Shqipëri.

Nëse shikon reagimet e partive të djathta pas miratimit të Kodit, shihet qartë se Mediu dhe partia e Idrizit, që janë dy favorite për të qenë me elektorat thuajse të barabartë, janë të shqetësuara, pasi ato shikojnë se LSI do të qëndrojë brenda koalicionit dhe do të marrë votat e tyre. Kërcënimet e tyre për dalje nga koalicioni janë thirrje të zbehta, të cilat Berisha u përpoq ti qetësonte dje duke theksuar se do të ndërtojë një koalicion të fortë. Por përtej formulës favorizuese të Kodit Elektoral brenda koalicionit me Partinë Demokratike, LSI ka dhe një marrëdhënie politike me Partinë Demokratike. Lideri i kësaj partie, Ilir Meta, dhe pretendenti në hije i Familjes Berisha për kreun e kësaj partie, Lulëzim Basha, kanë një aleancë të fortë politike që e demonstruan dhe në zgjedhjen e presidentit të Republikës. Ilir Meta u përdor si kamikaz, deri në kërcënim të qeverisë duke rritur pazarin tek opozita, vetëm që Berisha të tërhiqej nga kandidatura e Jozefina Topallit, e cila shihet gjerësisht si një kundërshtare e përbetuar e Bashës brenda partisë. Ilir Meta nuk pati asnjë skrupull dhe asnjë argument kur në vend të zonjës Topalli ne pamë që shkoi në presidencë një gjysmë njeriu, shumë më eunuk se Topalli në raport me Berishën dhe një zyrtar i lartë i PD-së. Ilir Meta as u skuq dhe as u zverdh nga kjo zgjedhje. Shihej qartë se ai hyri në atë betejë vetëm për interes të Lulëzim Bashës, me të cilin e lidh një marrëdhënie specifike politike që ka të bëjë me mandatin e Bashës në Tiranë si bashkiak, kontrollin e Këshillit Bashkiak dhe shpresën që përsëritja e mandatit të vijë pikërisht nga një koalicion me LSI. Pra, LSI, ndryshe nga republikanët apo çamët, legalistët e ballistët, ka hyrë në një marrëdhënie politike me PD, është bërë pjesë e luftërave të brendshme të saj dhe si rrjedhim ka një strategji afatgjate për të mbetur në politikë si një parazit në trungun e PD.

Është kjo arsyeja që Ilir Meta nuk ka ndërmend të ikë dhe as ka pasur ndërmend të ikë nga qeveria e Berishës, por thjesht të mbajë pazarin lart dhe të diktojë një rritje të numrit të deputetëve në zgjedhjet e ardhshme.

Edhe pse Berisha premton të qetësojë Mediun, Idrizin, Spahiun apo Rroshin, ai në fakt ka shumë pak rrugëzgjidhje për ta. Ai mund tu premtojë aty vende në qeverinë e ardhshme, ose të aplikojë Dushkun e fshehur duke bërë thirrje në qarqe të veçanta të votohet për ta, por kjo ska shumë garanci. Ndryshe nga këto parti, Ilir Meta është në aksion të përbashkët politik me një pjesë të rëndësishme të PD-së jo tradicionale, sidomos atyre që kanë hyrë në këtë parti pasi ajo erdhi në pushtet, dhe nuk kanë shijen e hidhur të Ilir Metës si kryeministër socialist që u arrestoi dhe poshtëroi Berishën, apo që i rrihte në komisariate pas mitingjeve të përditshme në shesh.

Aleanca e Ilir Metës me këtë pjesë të PD-së është identiteti i ri politik i tij dhe arsyeja përse ai është i pazbueshëm dhe i pafrenueshëm në objektivin për ti dyfishuar deputetët në kurriz të PD dhe koalicionit të saj. E vetmja vështirësi objektive e Metës në fushatë bashkë me PD, do të jetë agresiviteti i pjesës tjetër të PD-së, mbështetës të frymës së Topallit dhe ish- drejtuesve të vjetër të PD-së, të cilët e shikojnë atë si një njeri që u ka rrëmbyer pushtetin dhe paratë nga duart.

Pyetja naive përse Ilir Meta do rrijë ende në hije të Berishës nuk ka vend nëse përgjigja është se do të dyfishojë deputetët dhe fuqinë e tij politike. Ai është i qartë se çfarë fiton duke qëndruar me Berishën. Çdo aventurë e tij për të dalë një pol me vete do ta linte thuajse jashtë parlamentit, ndërkohë që është e qartë se Partia Socialiste do ta pranonte atë vetëm nëse rrëzon Berishën si kryeministër dhe shkojmë në zgjedhje me një kryeministër të ri.

Në këto kushte përshëndetja nga LSI e kozmetikës së Kodit është logjike dhe e sinqertë. Për ata tashmë është Kodi më i mirë, i cili u jep atyre shansin të triumfojnë si parti e dytë brenda koalicionit. Formula i favorizon që votat e partive të tjera të vogla të PD-së të ndihmojnë mandatet e tyre, të cilat ata pastaj dinë vetë si i përdorin. Sidomos nëse PD humbet!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›