E Shtunë, 31 Tetor 2026

E.Hoxha dhe R.Alia kanë bërë kërdinë me arin e grabitur tregtarëve

15-07-2012 / Nga Kostaq Xoxa

Në kujtimet e saj, veçanërisht në “Jeta ime me Enverin”, Nexhmije Hoxha bie në kundërthënie të njëpasnjëshme, duke folur, madje, edhe për “humanizmin” e bashkëshortit të saj. Në faqen 271, në mos gaboj, është përdorimi i fjalës “humanizëm”. Por është vërtetuar se bashkëshorti i Zonjës së Zezë, jepte urdhra që kundërshtarët e tij politikë të torturoheshin, para se të vriteshin. Dy fakte janë të sigurta. Llazar Fundo, i përshkruar nga Vedat Kokona me simpati për kulturën e madhe në sferën letrare, por edhe të artit, duke kujtuar shoqërinë me Záin (siç e thërrisnin shokët), është njëri ndër këto viktima fatkeqe. Vedati kujton miqësinë dhe vizitat e shpeshta në Luvër,  dhe e vlerësonte për njohuritë e thella në pikturë dhe në skulpturë, si edhe për interpretimet e mprehta për objektet e artit, të plotësuara me kritikën artistike të cilën Fundo e lexonte në literaturën franceze të kohës. Vedati kishte fjetur në një dhomë me qira me Enverin, në kohën kur ishin studentë në Liceun francez të Korçës. Dhe thoshte se në atë kohë ai as që dëshironte të fliste për politikë.
Por vitet rrodhën dhe admiruesi i Robespierit, e urrente për vdekje Llazar Fundon. Antifashizmi i këtij ishte i padyshimtë. Me pushtimin e Shqipërisë Llazari ishte nga të parët që u internuan në Ventotene. Pastaj e vazhdoi luftën kundër okupatorit duke punuar me vëllezërit Kryeziu në Kosovë, që njiheshin si luftëtarë me emër kundër fashizmit. Atëherë përse kjo urrejtje patologjike? Mbase se Enveri, në kohën kur ishte vasal i jugosllavëve, ishte xheloz ndaj atyre që i bënin hije? Apo emisarët e Titos nuk e donin Llazarin, se Kryezinjtë vërtet ishin antifashistë dhe e luftonin okupatorin, por jo sipas gustos së Miladinit e të Mugoshës, - që donin ta kishin koloni të tyren Kosovën, pas mbarimit të Luftës?
Në librin e tij për Kosovën, historiani dhe studiuesi i shquar Luan Dode gjeti nëpër arkivat një dokument të jashtëzakonshëm, me firmën e Enverit, të cilin e botoi me fac símile: “Të kapet, të torturohet, pastaj të vritet”. Kjo e kishte zemëruar keq Fan Nolin në Amerikë.  Relacionet e tij me “Çlirimtarët” filluan të ftoheshin dhe nuk iu përgjigj pozitivisht ftesës së Enverit që të vinte në Shqipëri e t’i vinin kandidaturën për deputet! Më vonë e kuptoi me tamam se sa “human” ishte Enveri, kur edhe shokun e tij që e kishte ndihmuar më tepër se cilido, Syrja Selfon, e ekzekutoi. Që të mos përmendim edhe miqtë e tij më të ngushtë si deputetin Nacionalçlirimtar, Enver Sazanin, që e dënoi me vdekje, ndonëse ishte krejtësisht i pafajshëm, por kërkonte liri demokratike të vërteta në Parlament, kur ishte deputet.
Në një dokument tjetër, të botuar në dosjénë e K. Dervishit, flitet për ekzekutimin e Teme Sejkos. Një byroist, ministër i brendshëm i kohës dhe një titullar tjetër,  e kishin çuar me makinë në një vend të fshehtë dhe e kishin goditur me kazma në kokë. Pastaj, meqë i dënuari me vdekje jepte shenja jete, i vunë litarin në grykë dhe njeri e tërhiqte nga vetja, tjetri, po ashtu. Gjersa i pandehuri dha shpirt. Ja si ishin njëri ndaj tjetrit shokët e luftës! Këto mënyra barbare do t’i pësonte edhe ish-ministri i brendshëm, kur i erdhi radha! Nexhmija vazhdon endé në “humanizmin” e komunizmit të E. Hoxhës, ndonëse e di fort mirë sesi e pësuan ish-shoqet e saj, pas ekzekutimit të burrave të tyre dhe shkatërrimit barbar të familjarëve të “komplotistëve” kundër Enverit, që i përftoheshin në halucinacionet e tij. edhe shokët e vet, të cilëve nuk u shkonte asfare ndërmend që t’i bënin komplot!
Por libri që cituam i Nexhmijes bëhet fare i pabesueshëm kur flitet për varfërinë e martesës së saj, me një karrocë që tërhiqej nga një kalë të cilit i numëroheshin brinjët, sikur kuajt më të mirë të të gjithë vendit nuk i kishte në dorë, tashmë, Ushtria kur bashkëshorti i saj ishte ministër i gjysmës së ministrive, nga ajo e Mbrojtjes e gjer te ministria e Jashtme... e në vijim!
*   *   *
Dhe vijmë, tani, tek ari që iu vodh tregtarëve, nën pretekstin e tatimeve të jashtëzakonshme për “abuzimet” gjatë luftës. Torturat që u janë bërë tregtarëve në tatimet që kalonin masën e fitimeve (“më jep atë që s’ke”) është histori më vete, që e revoltuan kryetarin e këshillit Nacionalçlirimtar të qarkut të Dibrës, Edip Tërshanën. Askush nuk desh t’ia dinte për funksionet e Edipit dhe për meritat e tij gjatë luftës. I revoltuar për dërgimin e arit me kamionët në Jugosllavi, Edipi protestoi burrërisht. U burgos për këtë “fajësí”. U dënua me vdekje dhe u ekzekutua. Iu gjet një letër, drejtuar E. Hoxhës nga qelia, me fjalët lapidare: “Kjo asht tradhti kombëtare”! Do të zgjateshim po të tregonim si ia vodhi Enveri arin dajës së tij i cili, i dëshpëruar, u arratis në Itali, duke e mallkuar me shpirt Enverin, që i kishte punuar edhe një reng të birit të tij të mitur, partizan. Njerëz si Foto Bala, Mentor Çoku dhe shumë të tjerë, miq të Enverit në kohën kur ishte student bursist në Monpelié dhe në Konsullatën e Brukselit, kanë dëshmuar sesa i babëzitur ishte Enveri për  të mos kthyer kurrë borxhet. Por do të përqendrohemi në kohën kur u bë i plotfuqishëm. Një e përkohshme jona e hap kapitullin e babëzisë së Enverit me këtë hyrje: “Enver Hoxha ishte një kanibal. Asgjë tjetër nuk mund të krahasohet me njeriun që e mbuloi Shqipërinë me viktima të pafajshmish. Por Enveri e gjurmonte shumë floririn. Jo më kot ai vrau qindra njerëz të pasur që kishin ruajtur florinj, nëpër shtëpitë e tyre. Dhe jo më kot ai ndaloi qarkullimin e floririt, duke futur në burg ata që e përdornin”. Pastaj autori i shkrimit kalon në një rast konkret, por me “thuhet se”: “Thuhet se Enver Hoxha, në vitin 1943 në Labinot, mori nga Fetah Ekmeçiu katër qese lëkure me florinj dhe i groposi bashkë me Sami Bahollin. [Këtu po bëjmë një korrigjim, sepse fraza krijon një ekuivok. Qartësia e mendimit duhet të dalë në sintaksën e qartë, jo me nënkuptimin e së pamundurës. Na del se u gropos edhe S. Baholli! Po të ishte se “i groposi bashkë me qeset”, - për shembull, - mund të kuptohej se u groposën edhe qeset, por jo ashtu siç është thënë për personin]. Korrigjimi është i lehtë: “ [... dhe i groposën, të dy, kur E.H.-a ishte me S. Bahollin”. Me gjithë këtë lapsus, sa për t’u shtensionuar paksa,  autori i shkrimit i paraqet bukur ngjarjet e pazakonta që përshkruan. Groposja e arit mund të jetë e besueshme apo jo. Por argumenti bëhet i fortë me periudhën që vijon: “Në atë kohë Fetah Ekmeçiu ishte i ngarkuari i shtabit me çështjet e financës. Pak kohë pas ngjarjes së sipërpërmendur, Fetah Ekmeçiu u zhduk në mënyrë të mistershme dhe trupi nuk iu gjet kurrë”. Kjo e bën të besueshme ngjarjen, madje edhe pabesinë; fill më pas shkruhet: “Floriri i groposur më 1943 do të nxirrej nga Sami Baholli në vitin 1959, me porosi të Enver Hoxhës”. S. Baholli paska shpëtuar nga kriminaliteti i Enverit, pas 16 vjetësh nga ngjarja. Né mund të supozojmë se Enveri nuk do të flinte rehat për një kohë të gjatë, sikur të jetonte dorëzuesi i florinjve (Fetahu) i cili édhe mund t’i zhvarroste dhe t’ia mbathte përtej kufirit (po të mundej të arratisej, sigurisht). Do të ishte fatkeqësi për Samiun e pafajshëm... Hamendësí, kjo, që ka një bazë reale. 
Autori vazhdon më tej, me këtë frazë: “Në atë kohë vjedhja e thesarit është bërë periodikisht, duke e dërguar në Zvicër, ose duke e depozituar me emra të tjerë, kryesisht të fëmijëve të krerëve të shtetit”. Flitet edhe për kohën pas Enverit: “Në periudhën 1988-1990 kanë lënë Shqipërinë sasi të tjera ari që kanë ikur nga kryesisht nga aeroporti i Rinasit”. Nëse kjo duket si retorikë, fraza pasuese bëhet konkrete, dokumentare: “Më 7 qershor 1992 u kërkohet ndihmesa autoriteteve zvicerane për arin që ndodhej në Zvicer. Guvernatori i bankës i asaj kohe, autorizoi më 1 mars 1993 firmën ligjore “Poncet Varzuler” dhe partnerët ndërkombëtarë të Avokaturës së Gjenevës (Zvicer) për të zbardhur llogaritë e hapura nga Bankat e Shqipërisë në Zvicër” . Ngarkohen tetë avokatë të huaj të merren me problemin (Përmenden emrat e tyre). Përmendet dhe citohet raporti përkatës: “Më 3 korrik 1989, me fluturimin SR 459 nga Tirana kanë mbërritur 3.100 kg. ar. Kjo dërgesë ishte pritur dhe depozituar nga Sigurimi i Shtetit. Ndërsa më 5 korrik 1989, kjo dërgesë u transportua në MAT SE CURITAS dhe u zhdoganua nga kjo e fundit. Hetimet pranë MAT kanë treguar se dërgesa e zhdoganuar e lingotave të arit dhe të argjendit ishte me vlerë 19,7 milion frangash. Dërgesa u dërgua me urdhër tek “Union de Banque” në Zvicër, në Edelmetallschmelzerei në Mendrison. Për këto është përfolur emri i Ramiz Alisë”.
Për sqarim të thjeshtë, 19.7 milion fr. ar do të thotë 19. 700.000 fr. ar. Ky shkrim flet edhe për arin “e marrë nga Mbreti Zog”, me ikjen pas pushtimit të Shqipërisë. E kemi vënë nën thonjëza, se shifrat dalin kundërthënëse. Përmendet shuma prej 10.000 napolonash ar me rastin e martesës së mbretit dhe të kremtimit të 10-vjetorit të Monarkisë. Shkruhet në parantezë, për hir të së vërtetës, se “në atë kohë 1 napolon floriri konvertohej me 20 franga ari. Atëherë: 10.000 X 20 = 200.000 fr. ar. Kjo shumë është thërrimja e 19.700.000 fr. ar, që ishte deportuar nga bankat tona në Zvicër, në kohën e diktaturës. Nëse 19 milion e kusur fr. ar është shkruar në fillim, vetëm kusuri 700.000 është 2-3 herë më i madh sesa ai 200.000-shi i shprehur në këtë shkrim. Po të vëmë në raport të gjithë sasinë e 19.700.000 me 200.000 na del herësi prej 98,5. Kjo do të thotë se shifra e një dërgese në Zvicër është thuajse 100 herë më e madhe se shifra që i atribuohet Zogut. Megjithatë, ndonëse shifra që i ngarkohet Zogut është 100 herë më e vogël se ajo e një dërgese të vetme në Zvicër e kohës së diktaturës enveriste, kjo duhet të jetë shumë herë më e vogël se 100 herë. Sepse shifra e Monarkut ka gjasa që të jetë e nxjerrë nga gjyqet kundër zogistëve që që janë shpallur si agjentë amerikanë jo vetëm ata që takuan Fulcin kur ky erdhi si funksionar i UNRRRA-s për të ndihmuar popullin nga varfëria ekstreme e pasluftës, por kanë dënuar si agjentë edhe ata që, për një arsye apo për një tjetër, nuk e kanë takuar fare Fulcin dhe u detyruan të thoshin në gjyq, pas një hetuesie të përbindshme, se e kishin takuar Fulcin, madje edhe si agjentë! Mos të harrojmë se në këtë shkrim thuhet se shuma e parave për të cilat akuzohet Zogu kishte mbetur për njëfarë kohe në shtëpinë e Koço Kotës, sipas thënies së drejtorit të Thesarit. Ky drejtor i Thesarit përmendet shumë herë në faqen 12 të gazetës, por pa ia treguar emrin asnjë herë. Nga ana tjetër, ish-kryeministri Koço Kota, kishte kaluar në gjyqin komunist dhe nuk u dënua me vdekje, siç do të ndodhte po të ishte trazuar në punë të tilla të grabitjes! Kjo inkoherencë përforcohet edhe me rastin e vështirësive financiare në mërgim, kur  Mbretëresha Geraldinë u detyrua të shesë gjerdanin e kushtueshëm të qafës, në një rast vështirësie, mbase për shpenzimet e varrimit të bashkëshortit të saj. Kjo është dëshmuar nga njerëz që e dinë me siguri këtë shitje dhe blerësin, me emër. E vërteta e kësaj çështjeje është  paraqitur edhe në njërën nga dosjétë e “55-s” për të cilat kemi folur gjatë këtij shkrimi.
Mbretëresha Geraldinë ishte dinjitoze dhe nuk ankohej më kot, siç bënte Nexhmija kur  “dëshmonte” për kalin brinjëdalë të martesës së saj, apo kur dha alarmin se ishte në vështirësi financiare për bukën e gojës, pasi u shemb perandoria e saj e daljes së të privilegjuarve për të bërë lindjen jashtë shtetit, kur njerëzit e thjeshtë e paguanin dëshirën për të dalë jashtë shtetit, me plumbin ballit! 

 

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›