E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përse Rama po rrezikon në Korçë?

niko-peleshiNga Eduard Zaloshnja

Në një intervistë dhënë Gazetës Shqiptare, Niko Peleshi tregoi se e mori vesh që do të bëhet Zv. Kryeministri i Shqipërisë vetëm 24 orë para se Edi Rama të publikonte emrat e kabinetit qeveritar që do të qeverisë vendin nga shtatori e tutje. Për Peleshin, kjo ishte një surprizë, sepse ai ishte i përqendruar në përfundimin e projekteve bashkiake që kishte premtuar dy vjet më parë, kur fitoi garën lokale në Korçë.

Se çfarë e ka motivuar Ramën për këtë lëvizje të Peleshit nga Korça në kryeministri, mbetet enigmë për shumëkënd, por një hamendje mund të bëhet se çfarë nuk e ka motivuar llogaritë elektorale.

Që nga korriku i vitit 1992, kur u zhvilluan zgjedhjet e para lokale pas vendosjes së pluralizmit në Shqipëri, ato kanë prodhuar surpriza jo të këndshme për partinë në pushtet. PD-ja e atëhershme, e cila kishte fituar me një votë plebishitare në mars 1992, i humbi zgjedhjet lokale vetëm 4 muaj pas ardhjes në pushtet. Pas fitores së PS-së në 2001-shin, PD-ja fitoi terren në zgjedhjet lokale, duke marrë bashkitë Korçë, Elbasan, Durrës etj. Pas fitores së PD-së në 2005-ën, PS-ja fitoi terren në zgjedhjet lokale, duke rimarrë bashkitë Korçë, Elbasan, Durrës etj.

Duke emëruar Peleshin Zv. Kryeministër, Rama po rrezikon një testim elektoral vetëm 4 muaj pas fitores plebishitare të koalicionit të udhëhequr prej tij. Sepse vendin e Peleshit në Bashkinë e Korçës do ta zërë dikush që do të zgjidhet nga vota e korçarëve. Dhe vota e tyre mund të ndryshojë nga zgjedhjet e përgjithshme në ato lokale, siç ka ndryshuar disa herë në 22 vjetët e fundit.

Në letër, epërsia e koalicionit të majtë prej pothuaj 9 mijë votash duket e pathyeshme në Bashkinë e Korçës, por gara lokale mund të prodhojë të papritura. Së pari, pothuaj gjysma e kësaj epërsie ka ardhur prej votave të LSI-së, e cila i mori votat kryesisht në lagjet 6, 7, dhe 8 (ku jetojnë rreth 9 mijë pjesëtarë të komunitetit egjiptian, i njohur në gjuhën popullore me emrin jevgjit). Drejtuesit lokalë të LSI-së nuk do të jenë po aq të motivuar sa çishin në zgjedhjet e përgjithshme, sepse ata tani do të jenë të zënë me administrimin e prefekturës dhe drejtorive rajonale si ajo bujqësore, rrugore, arsimore, shëndetësore etj. Në fakt, e njëjta gjë mund të thuhet edhe për drejtuesit lokalë të PS-së.

Nga ana tjetër, drejtuesit lokalë të PD-së, të çliruar nga barra e administrimit të prefekturës dhe drejtorive rajonale si ajo bujqësore, rrugore, arsimore, shëndetësore etj., do të jenë mëse të motivuar për të fituar Bashkinë e Korçës, në mënyrë që të marrin përsipër administrimin e punëve bashkiake.

Një faktor tjetër i rëndësishëm është emigracioni. Për rreth një vit para zgjedhjeve të 23 qershorit, Erion Veliaj dhe Niko Peleshi punuan intensivisht në zonën e Selanikut me emigracionin shqiptar atje dhe sollën në Bashkinë e Korçës rreth 100 autobusë me votues të majtë ditën e zgjedhjeve. Pra, rreth 5000 vota epërsi (nga 9 mijë gjithsej) u sigurua nga emigracioni. Por një operacion i tillë gjigand nuk mund të përsëritet dot në tetor, për zgjedhjet bashkiake.

Duke marrë parasysh këta faktorë, epërsia prej 9 mijë votash që koalicioni i majtë realizoi në 23 qershor, duket një ëndërr e parealizuaeshme për të në tetor. Në rastin më të mirë, ai mund të realizojë një fitore të ngushtë si në 2011-ën. Ndërsa në rastin më të keq, një humbje të ngushtë…

Atëherë, përse Edi Rama iu fut kësaj aventure elektorale të parakohshme në Korçë?

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›