Ra miku nga fiku!
Ti biesh mikut me kokë
Batuta pikante Kush fut mik, humbet pikë në rastin e zyrës elektorale në Vlorë të deputetit kryeministër në pritje, prek një tabu tepër delikate, siç është ajo e mikut, në misionin e rilindjes për ngjizjen e shtetit ligjor. Miku sot është një institucion, një pushtet diskret po aq efektiv, në mos më shumë, se ai politik, gjyqësor, mediatik etj, (ka mbetur veç të sanksionohet në Kushtetutë!). Ndonëse meritokracia në parim është në interesin e atij që e aplikon atë, deformimi i saj për motive klienteliste dhe nepotizmi nuk është më lajm dhe, në rastin e sektorit publik dhe shtetëror, kosto rëndon taksapaguesin pa dallim.
Një trashëgimi kontradiktore kjo e mikut, ku veç një vijë e hollë ndan njerzillëkun prej abuzimit, veçanërisht kur flitet për pushtet. Një mekanizëm që edhe në tranzicion u ratifikua si sinonim i privilegjit të pamerituar dhe nëpërkëmbësit të atyre vlerave simbolike demokratike që e bëjnë realitetin perëndimor, veçanërisht atë anglo-sakson, atë që është sot – sa i lakmueshëm, po aq dhe i largët njëkohësisht.
Në dukje një mision i pamundur, sfida ndaj mikut duket e pashpresë – ta luftosh të ha kokën, të mos e luftosh ta ha sërish kokën (në një kohë të dytë). Një kapak pusete që nuk kemi kurajo ta ngremë, por veç bëjmë politikë se aq kemi në dorë. Një llokum dinamiti me fitil të shkurtër, që rrezikon atë që kuturiset ta ndezë, por që duhet ndezur se ndryshe nuk kemi gjë në vijë, rilindje jo e jo.
Mikukracia fatalitet dhe mit
Pavarësisht trendit të privatësisë, sërish mbetemi një shoqëri ku afërsia dhe komunikimi shpien natyrshëm në lindje dhe forcim miqësish. Vlerë kjo e shtrenjtë për këdo, por me mikun anë të errët të saj. Në mos farefis, diku, dikur dalim në masë të njohur me miqësi e shoqëri të përbashkëta, një premisë kjo që falë edhe mjeteve të larmishme dhe diskrete të komunikimit, e bën delikat pozicionin e kujtdo që ka diçka në dorë përballë pritshmërisë tek të tretët për të bërë favor.
Socio-demografia nuk mund të konsiderohet faktor apriori sepse miku mbetet mit urban në Perëndimin ky synojmë, si në vende të mëdha dhe me diskrecion tradicional (p.sh. Mbretëria e Bashkuar, Gjermania) ashtu dhe në vende të vogla, qoftë këto me intensitet komunikimi social (p.sh. Irlanda) apo privatësi ekstreme (p.sh. Zvicra) etj që të përbashkët kanë zbatimin e shtetit ligjor. Pavarësisht shkaqeve objektive, është edhe shembulli lart politika dhe shërbimi civil, ai që e motivon apo demotivon trendin e mikut dhe kur ndodh qenë këto vende miku nxjerr kokën, ai përbën lajm me kosto mediatike, civile apo penale për këdo që spekulon.
Kometë politike apo paralajmërim afatgjatë!
Rasti i zyrës elektorale në Vlorë, përbën një rast të mirë për të sanksionuar një precedent domethënës për më tej – rilindja ka kurajën të prekë çdo tabu pa dallim, ndonëse në dukje politikisht vetëvrasëse siç është dhe ajo e mikut.
Që kjo lëvizje të mos shihet si njëkometë kalimtare e marketingut politik, është e domosdoshme të hapë perspektivën edhe për nivele të tjera duke ndikuar në pritshmëritë e publikut më pas. Duke filluar nga partitë politike, të cilat duhet të hapen realisht ndaj vullnetit të anëtarësisë në ndërtimin e forumeve partiake, duke i dhënë fund katapultimeve fakt me zanafillë miqësitë e hershme, lidhjet familjare, miqësirat klienteliste etj. Duke bërë kësisoj dallimin mes mikut dhe mikut sepse aq sa është normale një rekomandim falë miqësisë, po aq anormale është presioni dhe diktimi i emrave falë saj dhe këtu asnjë parti nuk është e imunizuar ndaj mikut dhe nepotizmit teksa hasim kudo lidera historik, byro politike pafund, freskime me pinjollë dhe servilë të ditës etj.
Tranzicioni dëshmoi se në pushtet, mikukracia partiake reflektohet në poste ministeriale të rezervuara për miqtë që, pavarësisht meritës dhe CV, janë aty edhe sepse kanë njohje personale apo lidhje klienteliste me të madhin apo rrethin e ngushtë të tij, emërime këto të cilat nëse bien ndesh me meritokracinë, cenojnë vetëaspiratën e qeverisjes së mirë.
Me mikun në parti si domino e parë, mikukracia i bën sehir më tej meritokracisë parlamentare dhe kjo duket në morinë e ligjeve dhe kodeve zgjedhore që zgjidhen me qiri apo modifikohen, sesa për të përforcuar zërin e votuesin të parlament, për të konsoliduar statu-kuonë e abuzimit politik që mikukracia mundëson.
Shansi i shtetit ligjor e ka bazën tek deputeti me integritet që përfaqëson si duhet atë pas dhe kontrollon pa komplekse atë lart. Nëse rilindja synon që të bjeri miku nga fiku, kjo arrihet edhe duke zhbërë ligjin elektoral spanjoll e adaptuar një ligj zgjedhor që garanton stabilitet qeverisjeje por jo në kurriz të meritokracisë në përfaqësim – ligji gjerman, irlandez apo britanik që i kanë bërë këto vende ato që janë sot.
Shfaqje të mikukracisë janë dhe farsat politike dhe elektorale nga listat e mbyllura, kuotat gjinore etj, që bëjnë dëm dyfish me demagogjinë që përçojnë. Diskriminimi pozitiv për gra në parlament(!), përtej absurditetit dhe precedentit për kategori të tjera, përbën diskriminim në vetvete që duhet përbuzur e denoncuar së pari nga vetë gratë me integritet. Një trajtim me pekule ky që paragjykon integritetin dhe kapacitetin e politikanes femër, ndërkohë që listat, pavarësisht CV impresionuese dhe me pak përjashtime, nuk e shmangin paragjykimin si lista rendore klienteliste apo servilësh për dekor.
Miqësia miqësi, ligji në punë të tij
Miqësia dhe miku në kuptimin social nuk është apriori gur nën rrota apo interferencë ndaj meritokracisë sa kohë ekziston mirëkuptimi reciprok se miqësi nuk do të thotë pritshmëri për privilegjim dhe detyrim për favorizim. Ne nuk mund të bëhemi nordik me zor dhe problem nuk është miqësia por shpërdorimi i saj. Mes miqve nuk mund të ketë tema tabu dhe nëse dikush meriton diçka, rekomandimi për vëmendje, sa kohë nuk presupozon diktim dhe diskriminim ndaj të tretëve, nuk ka përse të bëjë efektin e kundërt sikurse me Andon Ledhin tek Tela për violinë.
Ndërsa privati e ka zgjidhur këtë rebus miqësia miqësi, paraja të shkojë dhe të vijë, sektori publik, fushë loje kjo e vetë politikës, mbetet problematik me të vetmen zgjidhje miqësia miqësi, ligji përparësi. Mikut nuk mund ti mohohet e drejta e kërkesës por pretendimi për favor. Dhe nëse keqkuptohet, është test për vetë miqësinë.
Me vullnet të mirë,miku si diktues sfumohet duke hapur kanalet e komunikimit dhe ofruar transparencë në vendimmarrje, duke e
