Armata familjare e Adem Grabovcit!
Terrorist është secili individ që frikëson të tjerët dhe ushtron dhunë mbi ta.
E kur ndodh që Guximi, i biri i shefit të grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovcit, shëtit Bjeshkëve të Nemuna, natën vonë me kallashnikov dhe me armë gjuetie, atëherë ky lloj ushtari ilegal merr konotacion jo vetëm pezhorativ, por edhe politik. Sepse është i biri i politikanit të partisë më të madhe në vend.
Për kënd e ka blerë kallashnikovin i biri i Adem Grabovcit? Prej kujt e ka blerë? Prej kujt po ruhet? Kënd po e ndjek? Pse ka blerë bash kallashnikov? A është kallashnikovi i babës së tij, apo i tij!
Se, për metaforë përsëri po na del se fjala kallashnikov tradicionalisht do të thotë të përcjellet te biri, i të birit.
Çka po i duhen gjithë ata fishekë atij? Pesëdhjetë fishekë. Kënd ka planifikuar ta vrasë? Arushat e Dardanit! A ka leje me vra arusha? Pse me vra arusha?
A ka shkuar në Bjeshkë të Nemuna për të pushuar dhe gjatë pauzës së pushimit për të vrarë diçka!
I biri i milionerit të PDK-së Adem Grabovci, gjatë muajit shkurt 2013 i rrahu policët e Bajram Rexhepit kur e ndaluan në rrugë për tia frenuar hovin e madh me të cilën ngiste veturën e tij.
Adem Grabovcin po e përcjellin skandalet me armë, prej atëherë kur më 2012 iu vetëplagos gruaja Kumrija me automatik, padashje në bark.
Kush është Adem Grabovci?
Po dihet që komunën e Pejës ia dhuroi Xhavit Haliti, por cila është biografia e tij!
Çfarë prindi është ky që i shëtisin fëmijët me armë luftarake nëpër rrugë, ditë e natë, në bagazh të veturave i mbajnë armët e tyre!
A janë këta njerëz paramilitarë!
Kush është ky njeri që nuk i ka mësuar fëmijët e tij që ta fusin gjuhën brenda para fotoaparatit. Shih fotografitë (në FB) e Guximit, birit të tij, të gjitha janë me gjuhë sa krahu përjashta, dhe në disa raste aq shumë e nxjerr gjuhën jashtë, sa që i shihen edhe bajamet! Pse nuk e ka asnjë foto normale, me gjuhë në vend të vetin, brenda gojës!
Çfarë mesazhi është ky i gjuhës jashtë?
Kush është ky paramilitar i ri që sfidon policinë dhe shtetin e Kosovës! A është vetëm apo pjesë e ndonjë grupi paramilitarësh!
A janë këta vetë policia dhe shteti nën hije i Kosovës!
Po çuditem pse ende nuk e shprehu frikën e saj nga armët ilegale ambasadorja amerikane Tracey Jakobson. Ajo e ka zanat të frikësohet nga Albin Kurti i paarmatosur.
Është koha që të frikësohet nga armët e vërteta.
Kallashnikovi ka thënë se e ka zbuluar kallashnikovin për të mbrojtur atdheun e tij rus.
Tani, nën këtë diell, vetëm Goran Bregoviçin ende e dëgjon duke i kënduar me dashuri, me frymëzim dhe në nirvanë armës kallashnikov: Boom Boom Boom Boom, Kana hi naj kutz, kutz ehy ja.
Dhe vetëm djemtë e Adem Grabovcit shëtisin të lirë rrugëve të Kosovës me kallashnikov dhe me gjuhë n’krah!
