E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përse duhet të vijë një emigrant për të votuar?

Pirro Lutaj / Deputet i PS-së

Një emigrant do ja vlente të kthehej në Shqipëri për të votuar, sepse ai duhet të jetë aksioner i vendimeve politike që merren me atdheun. Emigrantët kanë kontribuar me vite në mirëqenien e vendit, duke sjellë para, eksperiencë, vlera dhe ide. Por, asnjëherë fjala e tyre nuk është dëgjuar dhe interesat e tyre nuk janë mbrojtur, pavarësisht kontributit të padiskutueshëm që kanë pasur në këto dy dekada. Emigrantët duhet të kthehen, sepse zgjedhjet e këtij Qershori janë thelbësore për të ardhmen e vendit, dhe sigurisht, dhe për të ardhmen e emigrantëve, duke konsideruar situatën e vështirë në të cilën ndodhen me mijëra emigrantë në Greqi e Itali. Emigrantët duhet të kthehen e të votojnë Partinë Socialiste,sepse në këto 8 vitet e fundit e kemi treguar me vepra se dëshirojmë t’i qëndrojmë pranë emigrantëve. Kemi qenë të pranishëm me struktura, përfaqësues me aktivitete dhe veprime konkrete, në ndryshim nga qeveria aktuale, e cila i ka lënë totalisht pas dore emigrantët. Ne si Parti Socialiste u kemi bërë një premtim të gjithë emigrantëve, veçanërisht atyre në Greqi dhe Itali; në momentin që do të vijmë në pushtet, ne do të kalojmë ligjin për Votën e Jashtme, që do u mundësojë emigrantëve që të votojnë në vendin ku ata ndodhen, pa pasur nevojë të udhëtojnë për në Shqipëri. Gjithashtu, kemi premtuar ngritjen e një Ministrie të veçantë për emigracionin, ministri në të cilën do të punësohen elemente të spikatur prej emigracionit, si dhe kemi premtuar një përfshirje të drejtpërdrejtë të emigrantëve në strukturat diplomatike të shtetit shqiptar, pra në ambasada dhe konsullata.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›