Vendet e zhvilluara dhe forcat e armatosura
Ekonomia botërore duket se po shënon një rritje edhe pse është cilësuar si një rritje e ngadaltë. Natyrisht kjo rritje ka ardhur edhe falë masave të kursimeve të ndërmarra nga qeveritë e vendeve anembanë globit. Janë ulur shpenzimet e konsideruara të tepërta për buxhetin dhe këto masa kanë prekur edhe buxhetin e forcave të armatosura. Nisur pikërisht nga masat e marra shumë prej vendeve të Nato-s nuk po nguten në blerjen e armatimeve të reja për forcat e tyre ushtarake. Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pezulluar të gjitha fluturimet e bombarduesve F - 35 sepse në testet e kryera me këta avionë janë konstatuar thyerje të shpeshta të turbinave. Në fakt ka qenë një test rutinë që zhvillohej në Kaliforni dhe prej aty ka ardhur dhe konstatimi i parë. I shpejtë ka qenë edhe urdhri për pezullim të fluturimeve si një masë mbrojtëse paraprake. Për bombarduesit F-35 Pentagoni kishte hartuar programin më të kushtueshëm por për fat të keq ky ka qenë një program që ka patur shumë vonesa. Flitet për 2,443 avionë dhe për një shifër që arrinte në 395,7 miliardë dollarë. Vonesa që kanë të bëjnë me disa defekte të shfaqura, madje në një prej tyre kishte ndodhur edhe një problem motori. Polemikat për këto defekte, më tepër sesa në vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë nisur në Europë. Ministri Italian i Mbrojtjes, Xhampaolo Di Paola ka kërkuar në Bruksel se për Italinë është themelore që të vazhdojë në programin e saj për blerjen e 90 avionëve bombardues. Vetë Italia në fillim kishte kërkuar 130 avionë të tillë ndërsa tashmë po kërkon 40 avionë më pak. Ministri italian ka këmbëngulur në deklaratat e tij duke shtuar se sipas tij këta avionë kanë një “fuqi ushtarake me veprim të gjërë” dhe se janë të nevojshëm për një “vend të madh të Natos, i cili nuk mund të krahasohet me Kostarikën”. Në fillim kanë qenë mediat italiane dhe pastaj edhe forcat politike të vendit fqinj të cilat kanë hedhur dyshimet e para për këtë program të avionëve F - 35. Sidoqotë në këtë kohë krize për Italinë shpenzimi i 13 miliardëve shto këtu edhe shpenzimet për mirëmbajtjen e avionëve do të ishte një sakrificë e madhe për italianët. Ndoshta pikërisht për këto arsye edhe shumë vende të tjera po shqyrtojnë ndërkaq pezullimin e blerjeve të këtyre avionëve dhe flitet për shtete si Turqia, Holanda, Australia dhe Kanadaja. Dikush tjetër kapet pas Kushtetutës e cila cilëson pajisjen me avionë për mbrojtje ndërsa këta avionë janë avionë sulmi. “Dua të them vetëm dy gjëra - ka deklaruar ministri Di Paola - kur flitet për fuqi ushtarake flitet për fuqi me një rreze të gjerë sidomos për vende si Italia, që është një prej vendeve të mëdha të Aleancës Atlantike. Në këtë fuqi ushtarake përshihen edhe F - 35. Me të gjithë respektin, nuk mund të krahasohemi me Kostarikën”. Në fakt merret si shembull një vend si Kostarika sepse është një vend që nuk kërkon të mbajë më forcat e armatosura dhe si rrjedhojë nuk ka më ase shpenzime ushtarake dhe që aktualisht sipas tyre gjithçka po funksionon më së miri. Ka patur edhe qeveri të tjera të vendeve të Aleancës të cilat nuk kanë qenë dakord me blerjen e avionëve sepse sipas tyre këta avionë nuk janë sipas parashikimeve. Një ndër këto vende është dhe Kanadaja vend në të cilin është zhvilluar edhe një debat i gjerë në opinionin publik. Sidoqoftë Kanadaja kishte kërkuar zëvendësimin e avionëve 77 CF -18, që ky vend ka aktualisht dhe zëvendësimi do të bëhej me këta avionë të cilët i përgjigjeshin më së miri nevojave të forcave të armatosura kanadeze. Për 65 avionët bombardues kërkoheshin 9 miliardë dollarë, për një shifër që do të arrinte në 40 vitet që pasojnë, në 45,8 miliardë dollarë. Kostoja e një avioni (pa pjesë këmbimi dhe armatime), është vlerësuar sot me 88 milionë dollarë ndërsa ishte parashikuar me 65. Në të vërtetë avionët do të kushtojnë 90 miliardë dollarë por kjo do të ndodhë vetëm në vitin 2017, ndërsa ato që do të prodhohen në tre vitet që do të pasojnë do të kushtojnë nga 127 në 95 milionë dollarë. Nga ana tjetër,edhe avioni i konsideruar i “padukshëm” nuk ka patur ato rezultate që priteshin dhe më kryesorja është që nuk janë të padukshëm për radarët armikë. Duket se këto lëvizje marrin shkas nga kriza ekonomike por mund të konsiderohen edhe si një mbrojtje ndaj prodhimeve të brendshme. Kanadezët kërkojnë që të jenë në garë për avionët e rinj të Royal Kanadian Air Force dhe për të rikthyer në pista gjeneratën e re të F-18 (super Hornet) dhe Typhoon i prodhuar nga europianët Eurofighter. Ndërkaq Typhoon ndodhet në Britaninë e Madhe, në Itali, Gjermani, Arabi Saudite por mund të blihet edhe nga Omani dhe Kuvaiti.
...