Fundi i politikës së jashtme
“Nuk është e tepërt se politika e jashtme amerikane është bërë krejtësisht servile e konsideratave taktike të politikës së brendshme”. Ky verdikt vjen prej Vali Nasrit, që kishte kaluar dy vjet duke punuar për administratën Obama përpara se të bëhej dekan i shkollës për studime të avancuara ndërkombëtare “John Hopkins”. Në një libër të titulluar “The Dispensable Nation” (“Shteti jo i domosdoshëm”), që do të botohet në muajin prill, Nasri krijon një portret shkatërrues të një politike të jashtme afatshkurtër që shmangu zgjidhjet e zorshme të diplomacisë së vërtetë, shpeshherë përfundoi në mendjengushtësi dhe ishte nën kontroll të “këshilltarëve me përvojë të pamjaftueshme më intriga të vogla të Shtëpisë së Bardhë”. Nasri, një prej autoriteteve më të besueshme amerikane në Lindje të Mesme, shërbeu si këshilltar i lartë i Richard Holbrooke, përfaqësuesit special të Obamas në Afganistan dhe Pakistan deri në vdekje të tijë, në dhjetor të vitit 2010. Prej pozitës së pafavorshme, dhe më vonë si një monitorues nga afër, Nasri kishte ardhur në përfundimin hezitues se qëllimi kryesor i politikave të Obamës “nuk është marrja e vendimeve strategjike, por për ta kënaqur opinionin publik”. Në këtë kuptim, ishte e suksesshme politika e jashtme e mandatit të parë të Obamas: Ai është rizgjedhur. Amerikanët donin të hiqnin dorë prej luftërave të mëdha dhe një gjurmë më të vogël globale: Obama, me disa përparime dhe sprapse, ia ka dalë mbanë. Por çmimi ka qenë i lartë dhe mundësitë janë humbur. “Kombi jo i domosdoshëm” ngërthen në vete një pasqyrë të rëndësishme në kohën kur John Kerry po zhvendoset në detyrën e tij të re si sekretar Shteti. Libri tregon shmangien prej artit të diplomacisë - me qasjen e dhimbshme jep-dhe-merr - drejt një diplomacie të prirë nga Pentagoni, agjencitë e inteligjencës dhe kalkulimet afatshkurtre politike. Është në dorën e presidentit të llogarisë zigzaget prej Kabulit deri në Jerusalem. Libri shpërfaq dobësimin e Departamentit të Shtetit: Nasri citon admiralin Mike Mullen, ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm, t’i ketë thënë Hillary Clintonit se “është e pabesueshme se sa pak përkrahje i ishte dhënë asaj prej Shtëpisë së Bardhë. Ata duan të kontrollojnë gjithçka”. Dhe kjo paraqet një pasqyrim bindës të një rënie amerikane të prirë jo aq shumë nga rritja e pashmangshme e fuqive të tjera, sesa nga “moskonsistenca” që “i ka ngrehur dyshime lidershipit tonë”. Askund nuk ka qenë më evidente kjo moskonsistencë sesa në Afganistan. Obama e dyfishoi rënien duke zotuar dhjetëra e mija trupa shtesë për të treguar se nuk po zmbrapset, duke vënë vetëm një datë se kur mund të ketë tërheqje. Marinsat vdiqën; pakkush u lodh për këtë punë. Ai e emëroi Holbrooken si njeriun kryesor vetëm për t’u siguruar se ai “kurrë nuk e fitoi autoritetin të bënte diplomaci”. Mesazhi i Obamas për presidentin Hamid Karzai të Afganistanit ishte: “Injoroje përfaqësuesin tim”. Fushata e Shtëpisë së Bardhë kundër Holbrooket ishte “një teatër absurdi”, shkruan Nasri. “Holbrooke nuk përfshihej në videokonferencat e Obamës me Karzain dhe nuk ishte pjesë e shpurës presidenciale kur Obama shkonte në Afganistan”. Shtëpia e Bardhë më shumë dukej “e interesuar ta rrëzonte Holbrookun sesa të zbatonte politikë të drejtë”. Kjo ishte kërcënuese. “Shtëpia e Bardhë mbante një dosje të veprave të këqija të Holbrooket dhe Clinton mbante një folder të përpjekjeve të vrazhda të zyrës së AfPak-ut të Shtëpisë së Bardhë për ta nënvlerësuar Holbrooken”.
Diplomacia vdiq. Negociatat serioze me talebanët dhe përfshirja e Iranit në bisedime në të ardhmen e Afganistanit - hapa të mëdhenj që patën një kosto të brendshme politike - ishin shmangur. Pak vëmendje iu kushtua edhe tregtisë si një urë lidhëse. Nasri nxjerr përfundimin për Afganistanin: “Ne vetëm po i lajmë duart prej tij, me shpresë se do të ketë një interval të denjë paqe – një distancë e arsyeshme ndërmjet tërheqjes sonë dhe katastrofës që pason”. Në Pakistan, që është shumë atomik për ta injoruar, kishte një “frenemy” (një lidhje e fjalëve të shkurtuara mik dhe armik) e tanishme - shkruan Nasri - ndërmjet konfrontimit frustues dhe përpjekjeve gjysmake për ta ndryshuar gjendjen nëpërmjet angazhimit. “Realiteti i vrazhdë ishte se talebanët kanë ndihmuar Pakistanin ta përulte Indinë në garën për Afganistanin”, shkruan Nasri. Amerika asnjëherë nuk ka qenë e aftë ta ndryshonte këtë ekuacion. Ndihma kishte shkuar për të siguruar ato raketa dhe për t’i fituar zemrat dhe mendjet: Sulmet me fluturake e çuan poshtë këtë fitore. Një “dialog i propozuar strategjik” nuk çoi askund. “Pakistani është një dështim i politikës së jashtme amerikane, një dështim i llojit që vjen prej dorëzimit nga presidenti të menaxhimit të politikës së jashtme Pentagonit dhe shërbimeve të inteligjencës”. Në Iran, Nasri demonstron ambivalenten e madhe të Obamës për çfarëdo marrëveshjeje për programin bërthamor. “Presioni”, shkruan ai, “është bërë një fund në vetvete”. Shtegu i dyfishtë me sanksione të ashpra në ndërkohë, kombinuar me qasje diplomatike “madje nuk ishte duale. Ishte mbështetur në një shteg, dhe ai ishte presioni”. Realitet është se “angazhimi ishte një mbulim për një fushatë shtrënguese të kabotazhit, presionit ekonomik dhe luftës kibernetike”. Ishin humbur mundësitë për të filluar diplomaci hap pas hapi për përfshirje të Iranit për t’i dhënë fund pasurimit të ulët të uraniumit në shkëmbim të heqje të sanksioneve progresive. Çka i mbeti Teheranit të mendonte kur “shuma e tri raundeve kryesore të negociatave diplomatike ishte se Amerika do të dërgonte pak copëza të fluturakeve të vjetruara në shkëmbim të programit bërthamor të Iranit?” Në lidhje me Izraelin-Palestinën, sikur me rastin e Iranit, Obama nisi me disa ide të reja, për t’u tërhequr shumë shpejt prej tyre. Ai u mundua ta ndalte zgjerimin e kolonive izraelite. Pastaj hoqi dorë kur e pa se çmimi i brendshëm politik ishte shumë i lartë. Rezultati ishte një shmangie. “Kombi jo i domosdoshëm” është një libër i guximshëm. Mesazhi kryesor i tij është: Diplomacia është e zorshme dhe ka një çmim, por çmimi është më i lartë kur hiqet dorë prej saj.
...