Përse iket?
Sipas Rusoit (1712-1778, njerëzit nga natyra janë të mirë dhe zakonet e këqija janë prodhim i qytetërimit të korruptuar. Deri diku ai sikur pajtohet me Lokun. Ndërsa Pelagius (354-420) thotë se në gjendje natyrale, njerëzit janë të paprekur nga mëkati origjinal, por ata janë plotësisht të aftë të zgjedhin të mirën ose të keqen. Kështu, sjellja njerëzore përcaktohet nga faktorë shoqërorë e biologjikë, dhe se instinktet e trashëguara nuk mund të fajësohen për veprimet e këqija, ashtu si nuk mund të lavdërohen për veprimet apo sjelljet e mira. Hobes (1588-1679) thotë njerëzit në gjendje natyrale janë vazhdimisht në luftë “të gjithë kundër të gjithëve”, dhe jeta në ketë gjendje është e rëndë, e keqe dhe e shkurtër.
Sipas Russell (1914-1970), e keqja morale rrjedh nga instinkti i trashëguar prej kohëve më të hershme, kur njeriu nuk ishte njeri. Këto instinkte lindën kur kafshë të veçanta (paraardhësit e njeriut të sotëm) u bënë të vetëdijshme dhe filluan të merreshin me vrasje, mashtrime, rrëmbime, grabitje e vjedhje, për të siguruar mish e sende të tjera ushqimore për plotësimin e nevojave metabolike. Në këto përpjekje ata ishin në garë a konkurrencë edhe me kafshët e tjera. Pra, fakti i thjeshtë se njeriut i duhet të marrë jetën e një tjetri ose ta skllavërojë atë, si kusht për të mbijetuar, është ndoshta zanafillë e të këqijave morale si gënjeshtra, mashtrimi, përbuzja, fyerja, vjedhja, përndjekja, burgosja dhe vrasja. Me këtë Russell duket se pajtohet me Volterin (1694-1778) i cili thotë se nëse bota do të ishte ajo që duhej të ishte, e përsosur, ku njeriu të jetonte lehtësisht në çdo pjesë të globit, me siguri të gjithë do të ishin të barabartë, dhe askush nuk do të ishte i detyruar t’i shërbente tjetrit ose të kërkonte me forcë që të tjerët t’i shërbenin atij. Në një botë të tillë, ideale, njerëzit do të ishin të barabartë sepse nevojat e tyre do të plotësoheshin nga natyra, prandaj nuk do të kishin nevojë për njëri-tjetrin.
Kur njeriu apo një grup sundon tjetrin, nuk është vetëm pabarazia që ai mbjell, por edhe varësia që krijon. Të gjithë të varfrit e të shtypurit, padyshim përfaqësojnë mjerimin. Shumë prej tyre kane lindur në kushte të tilla dhe duke jetuar vazhdimisht kështu ajo duket se nuk bën përshtypje dhe ata të mbeten të varur tek sunduesi. Por kur varfëria e shtypja ndjehen dhe kuptohen jo si kushte të natyrshme a të lindura, atëherë vjen lufta.
Çdo njeri është lindur me instinktin që e shtyn drejt pasurisë, pronës, pushtetit, për të fituar a për të dalë mbi të tjerët. Kjo sjell, rivalitetin por në një plan të gjerë edhe pabarazinë e thellë, e cila po nuk hasi në kundërshtim, ajo ekzagjerohet si në ndonjë vend, si Shqipëria e dikurshme, ku një shtetas nuk lejohej të ikte nga vendi i lindjes. Ligji nuk e shpjegonte përse, por shumë njerëz e kuptonin se vendi ishte tepër i varfër dhe qeverisej aq keq sa sundimtarët ndalonin çdo individ të ikte, sepse përndryshe, në mos të gjithë, shumica do të kishin ikur… apo nuk ikën?
Thellë në vetvete, çdo njeriu, pavarësisht nga shkalla a pozita shoqërore, ka të drejtë të mendojë se është i barabartë me të tjerët. Kështu, kamerieri nuk i kërkon klientit, cilido qoftë ai, që ky t’i shërbejë në të njëjtën mënyrë; por kjo çështje është zgjidhur nëpërmjet bakshishit. Por kur një person pret me orë në radhë për përpara një zyrë për të qarë një hall a për të marrë një dokument, dhe kur zyrtari tregohet mendjemadh, edhe pse nuk ka mend më shumë se ai, apo kur i kërkon edhe ryshfet, megjithëse merr një pagë më të lartë se ai, atëherë personi preket nga kjo pabarazi e panatyrshme, dhe nuk i mbetet rrugë tjetër veçse të ikë… apo nuk vazhdojnë të ikin?
*Autori është gazetar i radios “Zëri i Amerikës”, seksioni shqip