E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përse z. Arvizu e krahasoi ndryshimin e 23 qershorit me vitin 1992?

Hajro Limaj/analist

Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Aleksandër Arvizu, në një takim me të rinjtë në Jal të Vlorës theksoi  se, "Zgjedhjet e 23 qershorit 2013 ishin historike dhe po ashtu si ato të vitit 1992, ishin shumë të rëndësishme për Shqipërinë, pasi sollën ndryshimin". Mbasi vlerësoi punën e Partisë Socialiste  për të ardhur në pushtet, ai nënvizoi se gjatë fushatës zgjedhore ka patur  përpjekje  nga parti , emrin e të cilave nuk e tha, që feja të kthehej në çështje elektorale, si dhe përpjekje për të krijuar ndarje veri-jug. Prandaj përfaqësuesi i SHBA-së ndryshimin e sistemit politik të vitit 1992  e krahason me ndryshimin e pushtetit politik të vitit 2013. Pra SHBA vlerësojnë se pushteti politik i Partisë Demokratike në ikje i ka sjellë pasoja të rënda shtetit ligjor dhe demokracisë kushtetuese të vendit. Që Amerika kërkonte ndryshimin e pushtetit politik dhe që ishte kundër rifitores së Partisë Demokratike dallohej e kuptohej plotësisht gjatë vitit të fundit të qeverisjes Berisha, qëndrim të cilin e kishte shpallur edhe Bashkimi Europian. Që një parti me dy herë radhazi në pushtet  konsumohet dhe humbet shumë mbështetës është një realitet historik i të gjitha vendeve  demokratike. Por dallimi i konsumimit  politik  nga moszbatimi i ligjshmërisë kushtetuese  nga ana e partisë në pushtet shprehet nga përqindja që ajo humbet në zgjedhjet fundit të përgjithshme. Humbja është e pritshme, por kur ajo  nuk mund të marrë as një të tretën në kuvendin e ri  tregon se gjatë qeverisjes së saj ka patur problem madhore në raport me qytetarin dhe vendin. Dhe ato sipas ambasadorit Amerikan kanë qenë aq të mëdha saqë largimi i PD-së nga pushteti barazohet me rrëzimin e sistemit socialist të vitit 1992. Por pse Amerika të ketë mbërritur në këtë përfundim? Ka shumë arsye, por më tronditëset janë  moszbatimi i ligjshmërisë ndaj pushtetarëve dhe mungesa e barazisë para tij, veçanërisht në ngjarjet tragjike të Gërdecit dhe të 21 Janarit. Ndaj këtyre dy ngjarjeve vdekjeprurëse nuk u dënua asnjë pushtetar dhe ata që u dënuan nga ngjarja e Gërdecit, jo vetëm që nuk ishin pushtetarë, por morën një dënim minimal dhe sot të gjithë i janë rikthyer jetës së tyre të biznesit. Korrupsioni, krimi ekonomik dhe monopolet bllokuan zhvillimin e mëtejshëm të vendit dhe krijuan një oligarki financiare në duart e pushtetarëve dhe të atyre që janë të lidhur direkt me pushtetarët. Pasuria kombëtare u privatizua dhe u tjetërsua vetëm nga këto monopole dhe kjo oligarki financiare. Kjo etje e madhe për pushtet dhe pasuri të pakufishme bëri që demokracia kushtetuese të mos funksiononte dhe  ndarja e pushteteve të ishte një formalitet dhe jo realitet. Pushteti legjislativ ishte në vartësi të plotë të pushtetit ekzekutiv, qeverisë, ashtu si edhe pushteti gjyqësor nuk mundi të merrte asnjë vendim jashtë  qëndrimit dhe preferencave të pushtetit politik, qeverisë. Pra vendi nga një sistem me demokraci kushtetuese u transformua në një shtet  autoritar me vlera totalitare. Kjo gjendje e rëndë e demokracisë kushtetuese mposhti edhe përpjekjet dhe skenarët antikombëtarë me përdorim të fesë e të ndarjeve krahinore Veri –Jug që më parë ka patur influencë të dukshme. Rrezik kombëtar përbënin pikërisht këto skenarë dhe jo deklarimet e znj. Topalli, kryetares në detyrë të Kuvendit. Këto janë shkaqet që Amerika mbështeti dhe uroi ndryshimin e pushtetit politik, duke bërë krahasimin maksimal të kësaj nevoje me ndryshimin e sistemit të vitit 1992.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›