Rikthimi në vendin e krimit politik
Arben Rrozhani
Ambasadori amerikan në Tiranë Aleksandër Arvizu është më i fundmi diplomat që shpallet armik nga partia e drejtuar 23 vite prej 69-vjeçarit ish-komunist Sali Berisha. Ai pason paraardhësin Xhon Uidhërs, Mariza Linon e të tjera figura të njohura të dipomacisë, pa llogaritur këtu ambasadorë të vendeve europiane, siç ishte ajo e Gjermanisë Holtkemper, ish-ambasadorët e Hollandës e të Danimarkës; që të gjithë mjaft kritikë me qeverisjen autoritariste të kryeministrit edhe për dy javë, Sali Berisha. Dhe nuk ka alibi në botë që të fajësojë këta burra e gra me karriera të shkëlqyera diplomatike dhe të shfajësojë sulmuesit anti-imperialistë.
Por ka një të vërtetë të madhe që mund të justifikojë vulën e turpit që partia e parë e ashtuquajtur pluraliste në Shqipëri, merr mbi vehte sa herë ikën nga pushteti me votë masive popullore. Është, ajo parti që nga lideri, deri te militanti më i thjeshtë nuk duan ta pranojnë: trashëgimtare e denjë e të gjitha atavizmave, metastazave kancerogjene dhe duhmës mbytëse, që la pas shkrirjes ish partia e madhe që drejtoi vendin në 45 vite izolim komunist në Shqipëri, deri në fundvitet ’80.
Për PD-në e Sali Berishës, ambasadorët e huaj janë të mirë vetëm kur pranojnë gjithçka në heshtje dhe shpallen armiq kur thonë pa dorashka kritikat dhe rezervat, por edhe konstatimet e tyre.
Ambasadori ende në detyrë, Arvizu nuk bëri ndonjë thagmë, dy ditë më parë nga bregdeti i Jalit, në krah të Ilir Metës: Vetëm sa bëri një paralelizëm mes votës plebishitare të 22 marsit 1992 që solli në pushtet demokratët dhe 23 qershorit që risolli në pushtet të majtën. Këtu nuk ka asnjë herezi. Fitorja e 22 marsit, 21 vite më parë ishte një votë proteste ndaj rregjimit vrastar të kohës së komunizmit, qeverisjeve të dështuara disa mujore që u ngritën dhe ranë në vitin 1991 dhe falë edhe premtimeve të “çekut të bardhë’ nga PD-ja në fushatën e parë të vërtetë elektorale. SHBA-të ishin në krah të kësaj force politike. Ish-sekretari i shtetit, Xhejms Bejker dhe i dërguari i tij në Tiranë ambasadori Rajerson dolën publikisht pro PD-së. Madje ky i fundit mbeti me këtë forcë politike deri në fund të mandatit në Tiranë, edhe pse pas fitores së zgjedhjeve, PD-ja riintstaloi sistemin e partisë-shtet në administratë, institucione të pavarura, dhe kudo ku kishte tagrin Berisha si president. Ishte ky i fundit në detyrë që injoroi hapur rekomandimet e Shtëpisë së Bardhë dhe të ish-presidentit Klinton, që futën Shqipërinë në zoën e vendeve gri në marrëdhëniet me SHBA-të.
Ishte po ky shtetar që në 1997 mallkonte vetë, me anë të deputetëve dhe të krerëve të shërbimeve inteligjente, amerikanët dhe Perëndimin mbarë si shkaktarë të kaosit social dhe politik që mbërtheu vendin, duke harruar, se shkaktari ishte ai vetë dhe shteti piramidal që kishte ngritur në vitet 1992-1997. Anti-amerikanizmi ka qenë doktrina e funksionimit të kësaj partie, ku militojnë ende shumë drejtues që kanë bërë kumtesa shkencore, për të nxjerrë ato përfundime, që dje kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli i tha për diplomatin amerikan në Tiranë.
Dhe do të vijojë të jetë. Edhe pse në vitet 2005-2013, SHBA-të kanë dhënë shumë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Falë mbështetjes së tyre Shqipëria nënshkroi MSA-në në 12 qershor 2006 me BE-në. Falë Shtëpisë së Bardhë vendi u anëtarësua në NATO në prill 2009 dhe në dhjetor 2010 ishte vendi përfitues nga liberalizimi i vizave me vendet e zonës Shengen.
SHBA-të kanë qenë dhe do të mbeten gardiane të mbrojtjes dhe të lirive të njeriut në Shqipëri, ashtu si në gjithë botën dhe këtë e përcjellin me anë të deklaratave të ambasadorëve që kanë, që flasin me gjuhën e presidentit të SHBA-ve. Ashtu siç foli edhe ambasadori dy ditë më parë, për një të vërtetë të madhe: 23 qershori solli një votë plebishitare kundër një regjimi që vrau dhjetra shtetas të pafajshëm në Gërdec dhe para kryeministrisë, që varfëroi deri në palcë një popull të tërë, për të pasuruar një grusht oligarkësh qeveritarë, që dhunoi institucionet e pavarura, mediat e lira, fjalën dhe shprehjen, që deri në fund kishte vizion qeverisës vetëm partinë-shtet, si në komunizëm dhe duke paguar miliona dollarë për lobistët që të blente heshtjen e qeverisë amerikane. Mbi 1 milionë vota e thanë këtë dhe diplomatët e huaj si Arvizu e vlerësuan si vullnet popullor, për të harruar një të shkuar të errët dhe për të ecur përpara, drejt një demokracia funksionale dhe të vërtetë. Një rrugë që nuk përkon me partinë e mundur nga shqiptarët, që nuk di shteg tjetër, veç të kthehet në vendin e krimit politik, duke akuzuar “imperializmin” për disfatat që ajo ia sjell vetes.