Që t’i shpëtojë zorit, çfarë s’bën Edi Rama
Qe si qé, u bë si ka...
Që t’i shpëtojë zorit, çfarë nuk bën njeriu. Thonë sikur e ka thirrur edhe derrin, dajë...
Henrikun e Katërt, njërin ndër mbretërit gjermanë të Perandorisë së Shenjtë Romake, zori i shkishërimit e çoi deri në Kanosa (Emilia Romanja - Itali), t’i gjunjëzohej Papës Gregor i Shtatë, në ciknën e dimrit 1066 - 1077. Pse të mos shkonte kryesocialisti Rama këtë pranverë të zjarrtë të politikës shqiptare deri në studiot e TV Klan-it? Ja ku janë ato, dy hapa larg dhe pa shpenzime, në një kohë që inflacioni politik që po përjeton lideri socialist, ia ka mpakur atij gjasat për mbijetesë në politikë. Madje kriza e tij me vetveten sa vjen e acarohet, edhe pas gjetjes më të fundit “rilindje”, çka do t’i shkonte përshtat kujtdo, përveç njeriut të gatshëm t’i zërë frymën çfarëdolloj rilindjeje, falë ëndrrës së kahershme për t’u ulur një herë, një herë të vetme, në karrigen kryeministrore.
Kanosa-n, Rama e ka provuar edhe herë të tjera. E ka përjetuar përballë Presidentit tonë ende në detyrë, kur, pas një morie hidh-e-pritesh të thukëta, i shkoi në zyrë afro pesë vjet më parë dhe ia prishi mendjen me kushedi se çfarë. E ka përjetuar ca vjet më vonë në restorantin “Krokodil”, ku u paraqit tebdil, si ujku me lëkurë qengji, me nijetin që t’u prishte mendjen partnerëve europianë. E përjetoi javën e shkuar, duke gëlltitur ngjalën e Gjirit të Lalësit, për t’ia prishur mendjen mikpritësit me kushedi se çfarë (Në e hëngrët e hëngri! - thotë matrapazi i paskrupullt). E përjetoi të nesërmen e ngjalës, në një hotel luksoz të Tiranës me mikpritësin e Lalësit, ani se nuk ia prishi dot mendjen me ndonjë premtim të dalë boje.
Gjatë bisedës televizive të fundit në programin Opinion të TV Klan-it, Edi Rama e provoi katërçipërisht konfuzionin politik që ai vetë ia ka ndikuar dhunshëm Partisë Socialiste, qysh se uzurpoi kryet e saj. Jo sepse u ngatërrua me këmbët e veta, ndërsa mundohej t’u mbushte mendjen taksapaguesve se, kur të fitonte e majta opozitare e cila sot për sot është rrudhur vetëm te PS-ja, taksat do të shkonin drejt zeros; por sepse maska që kishte vënë atë mbrëmje, - kësaj here kinse dashamirëse ndaj gjithkujt, madje edhe ndaj atyre që i pati pëgërë dhjetëra herë - nuk i fshehu dot shkaqet e vërteta që e sollën në ekranin e një medie elektronike së cilës s’ka dashur t’ia shohë bojën prej vitesh dhe gazetarëve të së cilës u ishte drejtuar me përçmim e me karagjozllëk: “Te fala Sandrit...”.
Ëndrra kryeministrore e asaj mbrëmjeje, ndonëse me pretendimin se tashmë kishte në dorë një program politik, ku spikat emri “rilindje”, ndonëse më i qeshur, ndonëse më i butë, ndonëse, përgjithësisht, më simpatik se kurrë, na tregoi një Edi Ramë të tjetërsuar. Ai që pamë në ekran, nuk ishte i vërteti. Personalisht, nuk u besoja syve kur shihja atë maskë buzëqeshjeje që ia fshihte skërmitjen me mllefe të përhershme ndaj kundërshtarëve politikë. Nuk u besoja veshëve, kur fliste në emër të së ardhmes europiane të Shqipërisë, ani se ka bërë çmos që ta bllokojë atë; kur kërkonte mirëkuptimin e atyre që do të dëshironte t’ua bënte kurban turmave të droguara me propagandë antidemokratike e antishqiptare; kur ngulte këmbë të mos “rishkruhej e shkuara”, për hir të së ardhmes.
Aq lehtë harrohet e shkuara, lexues i nderuar? Çdo njeri që ka minimumin e sedrës, nuk e harron dot qoftë edhe një fjalë fyese të tjetrit, sepse fjala vret më keq se pushka. Sa vrasin, pra, veprimet e një lideri partie që rreh t’u bëjë varrin kundërshtarëve politikë? Madje, jo vetëm varrin politik...
Nëse do të rendisnim disa nisma të kohëve të fundit të Edi Ramës, ku, patjetër, edhe gatishmërinë për t’u paraqitur i tjetërsuar në publik, nuk do të ishte vështirë të vinim re frikën që e ka kapluar për të ardhmen e vet politike. Minjtë e ndiejnë tërmetin, përpara se lëkundjet sizmike të mbërrijnë në sipërfaqe të tokës. Me ndjesinë e minjve, Rama ka kohë që po i ndjen lëkundjet në kampin opozitar, sidomos ato në radhët e partisë që kryeson. Mirëpo Edi Rama e di se, në këso kushtesh, do të ishte e padobishme lutja e gomarit “Bëje, Zot, ëndërr!”, ndërsa i nguleshin mbi zverk kthetrat e luanit. Sipas strategjisë që e ka udhëhequr në politikë, Ramës do t’ia kishte ënda që ëndrrat t’i shihte elektorati, ndërsa ai medoemos të mësynte kryeministrinë, duke bllokuar reformën, me kuti a me çfarëdo mjeti që t’i vinte për dore. Ja kuintesenca e bisedës gati tri orësh në TV Klan, nëse do t’u referoheshim përveç rreshtave, edhe nënrreshtave.
“Ne do t’i fitojmë zgjedhjet” – ishte refreni i bisedës televizive. Dikur, në fund të programit, drejtuesi e pyeti: “Po i humbët?” Përgjigjja: “Ne do t’i fitojmë zgjedhjet”. Replika: “Po i humbët?” Sërish: “Ne do t’i fitojmë zgjedhjet”. Të njëjtat replika zbavitëse, por tepër domethënëse, u alternuan ndoshta dhjetê herë.
Ishin zbavitëse, sepse u ngjasonin replikave në lojën e kungulleshkave. Përfytyroni një lider politik përballë një gazetari që s’ka çka humb nga loja me kungulleshka, përveçse përfiton duke shtyrë partnerin bisedues drejt vetëdemaskimit: “Kisha një kungulleshkë, m’u bënë dy”. “Pse dy?” “Po sa?”. “Po një.” “Po pse një?” “Po sa?” “Po dy...”
Po aq, ato ishin edhe domethënëse, sepse shpalosnin një të vërtetë të pakundërshtueshme. I humbasin a nuk i humbasin socialistët zgjedhjet e 2013-s, Edi Rama nuk do të dorëhiqet nga posti i kryetarit të PS-së. Do të mbetet në krye të saj, qoftë edhe me një grusht njerëz.
Duke pasur parasysh sa më sipër, si edhe zhvillimet e sotme politike në prag të zgjedhjes së Presidentit të ri, cilido shqiptar i vëmendshëm ndaj politikës së ditës, qoftë analist ose jo, s’e ka të vështirë të arrijë në përfundimin se loja e Ramës me president, s’është veçse nxehje (nxemje) për zgjedhjet e ardhshme. Rama nuk e ka aq në vëmendje njeriun që do të zërë vendin e Topit, pasi ai e di mirëfilli se Kushtetuta flet qartë dhe ia mbyll të gjitha shtigjet për të abuzuar me ligjin. Edhe partnerët ndërkombëtarë kanë folur më qartë se kurrë për zgjedhjen e Presidentit të ri, ndonëse me gjuhë diplomatike. Kjo do të thotë se kryesocialisti s’mund t’i bjerë dot murit me kokë. Madje, po të sjellim në kujtesë shakatë e Arian Çanit dhe ironinë e Berishës në bisedë me gazetarët, cilido ndër ata që luajnë domino në çdo hije peme a kazani plehrash në Tiranë a në provincë, mund të ëndërrojë karrigen e Bamir Topit. Pse jo, përderisa precedenti ekziston? Kujto Moisiun, i nderuar lexues! Dhe, meqë Arian Çanit s’i ka rënë ndërmend, pse të mos i bjerë tjetërkujt, fjala vjen, të më propozojë mua të jem President i gjashtë i Shqipërisë postkomuniste? Ka ardhur rasti fatlum për të fjetur me ëndrra presidenciale.
Gjithsesi, zgjedhja e presidentit është tjetër, kurse zgjedhjet e ardhshme parlamentare, tjetër. Nëse sot koalicioni qeverisës i ka numrat e nevojshëm që me rrugë kushtetuese t’i imponohet opozitës për presidentin e ri, çka është logjikë e pastër politike dhe garanci për vijimësinë e reformave, qershori i 2013-s s’ka sesi të rrezikojë ndërprerjen e tyre. Faktet janë kokëforte. Logjika, aq më tepër. Së bashku, ata përbëjnë fatalitetin që e shqetëson më së shumti Edi Ramën. Dhe këtë, ai e di më mirë se kushdo. Pesë vjet arritje, tashmë Rama është ndërgjegjësuar se politika shqiptare e ka kapërcyer që në vitin 2009 ngërçin e përjashtimit të anësive “e majtë – e djathtë”, kur e kërkojnë interesat kombëtare. Ja pse i ka ulur veshët dhe synon të peshkojë ku të mundë e si të mundë, sidomos në radhët e së majtës së reformuar. Po aq sa ai, janë ndërgjegjësuar edhe të vetët, që kanë shtatë vjet me gisht në gojë dhe me sy nga qielli. Gjunjëzimi përpara Metës, një përulje e pafat që tashmë dihet se nuk ka pasur suksesin e Kanosa-s, flet qartë për dështimin e radhës të Edi Ramës.
Në Korçë - ndoshta edhe gjetkë, por unë mbaj mend shprehjet e vendlindjes sime – thonë: “Qe si qé, u bë si ka”. Nuk ngul këmbë se domethënien e saj di ta shpjegoj deri në fund, sado që e kam përsëritur qindra herë, aq herë sa kam vërtetuar një cilësi të re të gjërave a të zhvillimeve. Gjithsesi, do përpiqem ta shpjegoj thjesht me foljen “jam” (e kryer e thjeshtë, veta e tretë, njëjës - qe) dhe me njëjësin e shumësin e emrit “ka” (një ka, shumë qé). Komenti do të ishte fare i thjeshtë: dikur, Rama ka qenë ndier si qétë e mbrehur në qerren e së majtës, pra përbri shokësh. Tashti ka mbetur si një ka i vetëm. A tërhiqet qerrja me një ka?