E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përshëndetja e Presidentit Topi me rastin e përfundimit të Projektit të Binjakëzimit “Mbështetje për KLD-në dhe Inspektoriatin e tij”. &nbs

17 dhjetor 2008

“Shkëlqesi Ambasadorë,
Zonja dhe Zotërinj,

Është kënaqësi për mua të përshëndes mbylljen e Projektit të Binjakëzimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë me dy institucionet homologe të Italisë dhe të Spanjës, projekt i cili ka patur si qëllim forcimin e punës dhe rolit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe të Inspektoriatit të tij, për realizimin sa më të mirë të detyrave të tyre kushtetuese dhe ligjore.

E kam konsideruar, që në fillim, një projekt shumë të rëndësishëm, mjaft të gjetur, të spikatur për të marrë dhe shkëmbyer eksperienca me këto dy institucione homologe, të dy vendeve shumë të rëndësishme, dy vendeve me traditë, dy vendeve evropiane me të cilat ne kemi patur vazhdimisht shkëmbime eksperience dhe kjo në fushën e drejtësisë ka qenë mjaft domethënëse për një sistem drejtësie në rrugën e reformimit të tij dhe natyrisht që është mjaft thelbësore jo vetëm për të krijuar klimën e nevojshme për reforma në drejtësi, por edhe për të pasur një suport profesional, ekspertizë nga dy vende të cilat kanë traditë të spikatur, të shquar në këtë fushë të rëndësishme. Përvoja e vendeve dhe sistemeve gjyqësore italiane dhe spanjolle për krijimin, forcimin dhe garantimin e një sistemi drejtësie funksionale, të pavarur dhe profesionale është një model frymëzues për t’u ndjekur. Kjo përvojë suksesi dhe arritjesh të institucioneve funksionale të drejtësisë është padyshim një ndihmë e vyer, e konsiderueshme për Këshillin tonë të Lartë të Drejtësisë dhe ne jemi të etur ta marrim, përvetësojmë dhe ta zbatojmë atë në Shqipëri.

Këshilli i Lartë i Drejtësisë luan një rol shumë të rëndësishëm në sigurimin dhe garantimin e pavarësisë, profesionalizmit dhe paanshmërisë së sistemit gjyqësor shqiptar, për ta bërë këtë pushtet më të aftë në përballimin e funksionimit normal të shtetit të së drejtës. Forcimi i efikasitetit të punës dhe rolit të këtij Këshilli, në mënyrë që përmbushja e detyrimeve të tij të jetë në përputhje jo vetëm me Kushtetutën dhe ligjin, por edhe me standardet dhe përvojën më të mirë evropiane, padyshim do të kishte impaktin e tij të rëndësishëm dhe të drejtëpërdrejtë në reformimin e pushtetit gjyqësor në tërësi. Vlerësoj se projekti i binjakëzimit është zhvilluar në momentin e duhur, përvoja dhe standardet evropiane duhet ta gjejnë tani plotësisht vendin e tyre në diskutimet tona për reformat.

Sikurse jeni të gjithë në dijeni, sot jemi pikërisht në momentin kur të gjithë prononcohen, elaborojnë temën e reformës në drejtësi, është një moment shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, sepse Shqipëria më shumë se kurrë është afër integrimit të plotë në NATO, ecën me hapa të sigurtë drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe kuptohet që në të gjitha fushat kërkohet plotësimi i standardeve. Pra, është jetike që më shumë se çdo gjë tjetër të realizojmë standarde në drejtësi, standarde për atë që konsiderohet nga të gjithë, që pranohet nga të gjithë dhe ju uroj që të zbatohet nga të gjithë, uroj që të ketë një kompatibilitet midis asaj që thuhet dhe asaj që zbatohet, pikërisht, elementi substancial i një shteti demokratik që ka të bëjë me elementët e shtetit të së drejtës.

Pra, ky projekt ka dhënë shanse jo vetëm për Këshillin e Lartë të Drejtësisë për t’u bërë më të aftë dhe më të perfeksionuar në punën e tyre, por rolin kyç që ka Këshilli i Lartë i Drejtësisë, një institucion që konsiderohet ndryshe dhe si qeverisje e pushtetit gjyqësor, që t’i japë të gjithë elementët e tij, natyrisht në bashkëpunim me strukturat e tjera kushtetuese të shtetit, në bashkëpunim me politikën, në bashkëpunim me Parlamentin, në bashkëpunim me të gjithë shkallët e gjykatave, të gjithë si një ekip i harmonizuar të realizojnë atë që kërkohet nga të gjithë shtetin e së drejtës në funksion të një qytetari të lirë, të një shteti demokratik, i cili nesër do të jetë me të drejta të plota në familjen e madhe evropiane.

Është e kuptueshme që partnerët tanë euroatlantikë nuk dëgjojnë vetëm premtime që “do t’i realizojmë”, por ata janë shumë seriozë, ata dëgjojnë dhe shikojnë dhe vrojtojnë çdo hap që realizojmë ne, kudo, secili në pozicionin e tij, duke filluar nga Presidenti i Republikës, duke vazhduar me të gjithë pushtetet e tjera, sa respekt kemi ne për sistemin e drejtësisë, si i implementojmë standardet e shkruara në letër, si i harmonizojmë ato. Natyrisht, ne nuk kemi qenë të vetëm. Jo vetëm që ne kemi qenë me një suport të rëndësishëm politik, por nëpërmjet këtij projekti ne konstatojmë që kemi pasur një suport të rëndësishëm profesional dhe këto shkojnë të dyja në sintoni. Një mbështetje politike i shkon për shtat një vullneti politik, ku të gjithë dëshirojnë t’i plotësojnë këto standarde. Kjo është në radhë të parë në funksion të qytetarit, i cili sikurse thashë që është i etur për drejtësi, por nga ana tjetër kërkon që kjo drejtësi të jetë sa më profesionale, kërkohet që nëpërmjet dhënies së drejtësisë ne të realizojmë dhe ekuilibra të rëndësishëm institucionalë dhe shoqërorë në Shqipëri.

Reformat në sistemin gjyqësor por edhe në atë të drejtësisë në tërësi i kam vlerësuar si reforma në funksion të forcimit të veprimtarisë së pushtetit gjyqësor për ndërtimin dhe konsolidimin e një sistemi shoqëror të drejtë, që ofron siguri për funksionimin normal të shtetit të së drejtës, një sistemi që të jetë sa më afër standardeve demokratike të dhënies së drejtësisë, një sistemi që garanton të drejtat e njeriut dhe liritë themelore, i dedikuar ndaj nevojave dhe shërbimit për publikun, një sistemi me procedura efektive dhe të barabarta për të gjithë, të paanshme dhe të shpejta, një sistem ku cilido gjen mbrojtje ligjore të të drejtave nga gjyqtarë të pavarur, të paanshëm dhe me nivel të lartë profesional, të cilët bëjnë pjesë gjithashtu në një sistem gjyqësor të pavarur, të besueshëm dhe efiçent.

Çdo vend dhe çdo sistem paraqet panorama të ndryshme të pavarësisë, paanshmërisë dhe profesionalizmit të pushtetit gjyqësor si dhe përpjekjeve për ta konsoliduar çdo ditë e më shumë këtë pushtet. Por, gjykoj se forcimi i një pushteti gjyqësor të pavarur është një sfidë e përbashkët e tre pushteteve, e faktorëve dhe aktorëve politikë dhe profesionalë, është një sfidë e të gjithëve, sfidë e përbashkët. Konsolidimi i demokracisë, shtetit ligjor dhe ekonomisë së tregut në mënyrë vendimtare kërkon të mbështetet në standardet bashkëkohore të një pushteti dhe sistemi gjyqësor të pavarur, të paanshëm, me integritet dhe efiçent në të gjitha aspektet e organizimit, funksionimit dhe administrimit të tij.

Unë besoj që projekti i binjakëzimit ka qenë një hap i rëndësishëm i mëtejshëm në përpjekjet tona për të konsoliduar pushtetin gjyqësor në Shqipëri. Dëshiroj të falenderoj gjithashtu, përveç autoriteteve të dy shteteve që kanë qenë pjesë e këtij projekti, Italisë dhe Spanjës, gjithashtu dhe Bashkimin Evropian për ndihmën dhe kontributin e dhënë në këtë rrugë të vështirë për përmirësimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Inspektoriatin e tij dhe pushtetin gjyqësor në Shqipëri, për t’i bërë ato sa më efiçente dhe sa më afër standardeve evropiane në fushën dhe në dhënien e drejtësisë.

Ju faleminderit!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›