E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përshëndetja

Tueini për gazetarinë dhe çështje të tjera


Në afro tre muaj u botuan në këto faqe çdo të mërkurë pamflete, skica humoristike, tregime e satira nga shkrimtari amerikan Mark Twain, të cilat në vitet gjashtëdhjetë, përkthyesi Alqi Kristo i pati përmbledhur tek "Vjedhja e elefantit të bardhë". Shekulli u jep fund këtu leksioneve të çmuara, në veçanti për gazetarinë, që Twain-i i urtë jep për profesionin, ku shumë janë futur në këtë det njerëzish e pak mbeten (njerëz).


Duke qenë i huaj, do të isha i paturpshëm e i pasjellshëm po ta merrja befas dhe me vrazhdësi detyrën e botimit ortakërisht të gazetës "Bufalo Ekspres" pa thënë asnjë fjalë për të qetësuar dhe inkurajuar pronarët e pafajshëm të gazetës, të cilët do të presin sulmet e diturisë dhe të mjeshtërisë sime.


Po kjo fjalë do të jetë sa më e shkurtër. Unë dëshiroj t'i siguroj të gjithë ata që kanë një farë interesi në përparimin e kësaj gazete se nuk do t'i sjell kurrë ndonjë dëm gazetës me qëllim a paramendim.


Nuk do të bëj kurrë reforma të rrezikshme dhe kurrë nuk do t'u shkaktoj pronarëve ndonjë andrallë. Unë do të kryej vetëm detyrën time të thjeshtë e të matur, gjersa nuk do të kem mundësi të largohem prej saj.


Do të punoj gjithmonë dhe në çdo rast me zell, nder e besnikëri, gjersa nevoja dhe varfëria do të më shtrëngojnë të kryej atë punë; për shkrimet e mia, unë do të bazohem vetëm tek e vërteta, me përjashtim të rastit kur nuk është e përshtatshme; do të sulmoj pa mëshirë çdo lloj krimi dhe kundërvajtje, me përjashtim të atyre që do të kryejnë njerëzit që më mbajnë në punë; në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë nuk do të përdor fyerje, veçse kur të merrem me qiratë e shtëpive dhe taksat.


Dhe duke u menduar më mirë, as për ato nuk do të përdor fyerje, sepse nuk është gjë e bukur, e sjellshme dhe e kënaqshme, - megjithëse, të them të vërtetën, nuk shikoj ndonjë mundësi se si mund të bësh dy para punë me qiratë e shtëpive dhe me taksat, pa prishur gojën.


Me politikë nuk do të përzihem shpeshherë, sepse ne kemi një redaktor politik që është pothuajse i shkëlqyeshëm dhe mund të bëhet i përsosur po të qëndrojë disa kohë në pendestore. Nuk do të shkruaj vjersha, veçse kur të kem ndonjë inat me lexuesit.


Kjo është baza e programit tim. Nuk më duket se është e mundur të plotësohet, po zakoni është ligj dhe prandaj duhet t'i bindemi sado që mund t'i dhunojë ndjenjat e njeriut.


Dhe ky zakon, të cilin unë po e ndjek tani këmba-këmbës, është kërkesa më e vogël e modës së fundit. Në jetën private, njeriu nuk e trumbeton kurrë krimin e tij përpara se ta kryejë, po redaktori juaj i ri, është një person kaq i rëndësishëm sa e ndjen veten të detyruar të shkruajë menjëherë një përshëndetje si fillim të punës se tij në të cilën fut të gjitha ato që di dhe të gjitha ato që nuk di, si dhe ato që i duket sikur i di, po që nuk është i sigurt.


Këtu, ai bën një parakalim të çudive që do të bëjë, të reformave që do të propagandojë dhe të këqijave botërore që do të zhdukë, të të mirave që do të krijojë dhe të halleve të popullit që do të pakësojë. Të gjitha këto i shpreh me një mburrje të padëshirueshme në një kolonë e gjysmë gazete me germa të mëdha dhe i duket sikur ka shpëtuar vendin. Kënaqësia e tij, për këtë, është e jashtëzakonshme.


Pastaj shtrohet për të kryer mrekullitë e tij, duke lëshuar frazat pa kripë, me një stil të rëndë, mbi lexonjësit e pambrojtur deri në pikën e fundit të durimit të tyre, pas së cilës ata e dërgojnë si konsull më ndonjë ishull të egër të Pacifikut, me shpresë se atje do ta hanë kanibalët.


Dhe me një sjellje të panjerëzishme, që përbën kulmin e karrierës së tij, në vend që të bëjë gati valixhen menjëherë, ai përpiqet t'u ngarkojë mirëbërësve të tij edhe lamtumirën. Në qoftë se ka diçka më të panevojshme se përshëndetja, kjo është padyshim lamtumira e gjatë me lot e ngashërime, sepse, ai që e ka bezdisur popullin për nja dhjetë vjet, nuk mund të ndahet prej tij, pa mbushur me lot një kolonë e gjysmë gazete.


Megjithatë, zakoni e do që të shkruhen lamtumirat dhe zakoni duhet respektuar. Në brendësinë e zemrës sime, unë e admiroj paraardhësin tim, që nuk e shkroi lamtumirën, megjithëse për sy e faqe e them e do ta them me këmbëngulje se ai duhej ta kishte bërë e të mos e prishte zakonin.


Njerëzit nuk i këndojnë lamtumirat, aq sa këndojnë dhe përshëndetjet, po megjithatë, ai duhej ta kishte nderuar atë fosil të lashtë, duhej ta kishte lënë lamtumirën. Unë ia thashë këtë e ai m'u përgjigj:


- Unë hoqa dorë nga kjo mjeshtëri, e braktisa këtë jetë, si gazetar, hë për hë, jam i vdekur, apo s'është ashtu?
- Po.
- Atëherë, a nuk të duket e turpshme që të ngrihet kufoma dhe të mbajë një fjalë në varrimin e saj?
Këtë unë po e shënoj këtu dhe do ta mbaj mend përgjithmonë si lamtumirën më të shkurtër dhe më të mirë që më kanë zënë sytë.

Mark Tuein

P.S Unë i jam mirënjohës shtypit të vendit për mënyrën e njerëzishme, me të cilën e ka pritur ai shpërthimin tim në jetën e rregullt gazetareske, me telegrame a me shkrime dhe jam i kënaqur që kam rastin t'i shpreh këtu ndjenjat e mija.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›