E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokurori kërkon arrestimin e dëshmitarit

"Remzi Hoxha"

Përfaqësuesi i akuzës pretendoi se personi po jepte dëshmi të rreme. Gjykata rrëzon kërkesën


TIRANE- Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi arrestimin në sallën e gjyqit të një prej dëshmitarëve të seancës së djeshme gjyqësore ndaj katër ish- funskionarëve të Shërbimit Informativ Kombëtar (SHIK), të akuzuar për rrëmbimin e biznesmenit Remzi Hoxha.


Shpend Dibra, rreth 40 vjeç, ish- agjent i vëzhgimit në bazën e Drejtimit të SHIK-t në Vainë të Lezhës, u kërkua të arrestohej nga Prokurori i çështjes Xhevat Hana, me akuzën e dëshmisë së rreme për shkak se sipas tij gjatë dëshmisë së tij ka gënjyrë në lidhje me shoqërimin prej tij të Ziso Kristopullit, nga Ksamili i Sarandës në drejtim të qendrës së Vainës së Lezhës, ku edhe ndodhet një nga bazat e SHIK-ut.


Ndërkaq Gjykata pasi dëgjoi kërkesën e prokurorit Hana, për arrestimin në sallë të dëshmitarit, vendosi refuzimin e arrestimit duke pohuar se kjo nuk ishte kompetencë e saj, megjithëse prokurori kërkoi kohë për lajmërimin e forcave të policisë për të ekzekutuar urdhrin e tij. Dibra i është përgjigjur në mënyrë mohuese, prokurorit Hana gjatë pyetjeve të drejtuara prej tij në lidhje me një udhëtim të tij në Sarandë, që kishte të bënte pikërisht me shoqërimin e Ziso Kristopullit, nga Ksamili në drejtim të Vainës së Lezhës.


"Nuk kam qenë ndonjëherë në Sarandë për të shoqëruar njeri,- pohoi Dibra përpara trupit gjykues. Po kështu edhe në lidhje me disa pyetje të tjera të prokurorit Hana, dëshmitari Dibra mohoi ato deklarime që sipas akuzës i kishte dhënë gjatë marrjes së tij në pyetje. Nisur nga deklarimet e tij, përfaqësuesi i akuzës kërkoi arrestimin e dëshmitarit për dhënien e dëshmisë së rreme. Kjo ndodhi edhe pas tërheqjes së vëmëndjes nga ana e prokurorit ndaj Dibrës, se po jepte dëshmi të rreme duke qenë se ishte nën betim.


Ndërkaq trupi gjykues vendosi të mos pranojë kërkesën e prokurorisë për arrstimin e dëshmitarit. Dibra ishte dëshmitari tretë i seancës së djeshme, ndërsa dy të parët nuk deklaruan të dhëna me interes për procesin. Seanca e ardhshme në procesin në ngarkim të ish- drejtuesve të SHIK-ut, Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro dhe Avni Koldashi është caktuar të zhvillohet në shtator, Të gjithë këta persona akuzohen për rrëmbimin torturimin dhe zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha, trupi i të cilit nuk ështe gjetur edhe sot e kësaj dite si dhe Ziso Kristopullit e Avdyl Loshajt.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›