Braçe: Pjesëmarrja jonë në Kuvend, për të rrëzuar qeverinë
Erion Braçe mbështeti dje rezolutën e përgatitur nga kryetari i PS-së, Edi Rama
TIRANË - Erion Braçe ishte një tjetër anëtar i kryesisë së PS-së, që mbështeti plotësisht dje rezolutën e hartuar nga kryetari i PS-së, Edi Rama. Në deklarimin e tij për mediat, Brace u shpreh se përkrahte rezolutën e paraqitur nga kreu socialist për mosnjohjen e zgjedhjeve të 28 qershorit, duke e argumentuar qëndrimin e tij me faktin se vullneti i shqiptarëve është deformuar dhe zgjedhjet nuk kanë qenë të lira.
Sipas Braces, besimi për Ramën në krye të PS-së duhet të rikonfirmohet, ndërsa pjesëmarrja në Kuvendin e ri është e nevojshme për të rrëzuar qeverinë. Gjatë prononcimit të tij për mediat, Brace iu referua edhe zërave ndryshe në PS sa i përket qëndrimit për zgjedhjet.
Ai sqaroi se askush brenda dyerve të Asamblesë Kombëtare nuk kishte mundur të argumentonte me prova se pse këto zgjedhje mund të konsideroheshin si të lira dhe të pranueshme. Në një intervistë për gazetën "Shekulli" të një dite më parë, Brace u shpreh pikërisht për parregullsitë që shoqëruan zgjedhjet 28 qershorit.
Ai foli për "një fushatë elektorale të dhunshme, sjelljen kriminale ndaj qindra mijë njerëzve në punë, për të dhënë votën me dhunë për qeverinë; shpërdorimin në raport me ligjin dhe përdorimin kriminal në raport me zgjedhjet, të fondeve publike, të paktën në shumën 180 mln dollarë; votimin familjar, shpesh në distancë deri përtej kufijve të Shqipërisë, për të mbuluar rritjen e shumëfishuar të pjesëmarrjes pro PD-së në zonat model jashtë kontrolli ligjor; numërimin skandaloz, jo transparent, të dhunshëm e më pas nxjerrjen e një rezultati të pavërtetë, që nuk pasqyron verdiktin në votë e vota-kundërshton vullnetin e zgjedhësve shprehur me votë."