E Hënë, 2 Nëntor 2026

Përshkallëzimi i protestave në Nepal, dorëhiqet kryeministri dhe 3 ministra

Kryeministri i Nepalit, KP Sharma Oli, ka dhënë dorëheqjen në përgjigje të protestave antiqeveritare që kanë shpërthyer në të gjithë vendin, duke e argumentuar vendimin e tij, si masë për t’i hapur rrugën për një zgjidhje kushtetuese të krizës.

Para vendimit të Kryeministrit, tri ministra paraqitën gjithashtu dorëheqjen, sikurse Ministri i Furnizimit me Ujë Pradeep Yadav, Ministri i Bujqësisë dhe Blegtorisë Ram Nath Adhikari dhe Ministri i Brendshëm Ramesh Lekhak.

Protestat shpërthyen në Nepal pasi qeveria javën e kaluar vendosi të ndalojë 26 platforma të mediave sociale, përfshirë Facebook-un dhe YouTube-in.  Në javët para ndalimit, në mediat sociale kishte filluar një fushatë “nepo kid”, duke vënë në qendër të vëmendjes stilin e jetës luksoze të fëmijëve të politikanëve dhe akuzat për korrupsion.

Ndërkohë që protestat aktuale kanë synuar ndalimin e mediave sociale – dhe e kanë detyruar qeverinë ta shfuqizojë atë – ato po kanalizojnë gjithashtu një pakënaqësi shumë më të gjerë dhe më të thellë me autoritetet e vendit.

Protestat janë përshkallëzuar gjatë dy ditëve të fundit, ku 21 persona kanë ndërruar jetë dhe  nëntëdhjetë të tjerë po trajtohen në spital.

Rezidencat e disa politikanëve të profilit të lartë u sulmuan, përfshirë ato që i përkisnin Oli dhe ish-kryeministrit Sher Bahadur Deuba. Selitë e partive politike u vunë gjithashtu në shënjestër.

Policia e armatosur qëlloi gaz lotsjellës në një përpjekje për të shtyrë protestuesit, ndërsa një numër gjithnjë e në rritje i të rinjve dolën në rrugë në Katmandu dhe pjesë të tjera të vendit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›