Rruga Ballaban–Memaliaj–Berat, një hap drejt zhvillimit të agroturizmit në Këlcyrë

Ndërtimi i aksit rrugor Ballaban–Memaliaj–Berat, pjesë e rrugës së vjetër që lidh Beratin, Skraparin, Përmetin, Këlcyrën, Memaliajn dhe Tepelenën, po shihet si një nga investimet më të rëndësishme infrastrukturore në jug të vendit.
Ky projekt jo vetëm që e shkurton ndjeshëm kohën e udhëtimit, por ende pa përfunduar punimet po jep ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e zonave përreth.
“Ndërtimi i aksit rrugor Berat–Ballaban është një ndër investimet më të rëndësishme për të dyja qarqet, Beratin dhe Gjirokastrën, duke afruar së pari Këlcyrën, Përmetin, Tepelenën, Memaliajn me Beratin. Pra, është krijuar një arterie e re komunikimi. Është drejt përfundimit hapja e trasesë përgjatë gjithë gjatësisë rrugore. Është duke u punuar për muret mbajtëse dhe shtrimin rrugor. Është një investim që nuk prek vetëm rrugët, por të gjithë zonën me një potencial të madh të turizmit dhe bujqësisë,” tha nënkryetarja e Bashkisë Këlcyrë, Albiona Hoxha.
Nënkryetarja theksoi se ky investim madhor i qeverisë po nxit zhvillimin e agroturizmit në zonë.
“Është një lloj turizmi që duhet shfrytëzuar edhe nga banorët, duke parë sesi agroturizmi ka ecur në pikat tona ekzistuese apo në të rejat që po hapen në luginën e Dëshnicës. Vihet re tendenca për të mirëpritur një lloj të tillë biznesi,” u shpreh znj. Hoxha.
Rruga pritet të lehtësojë ndjeshëm qarkullimin mes bashkive Këlcyrë, Përmet, Memaliaj, Gjirokastër dhe Berat, duke krijuar një lidhje më të shpejtë dhe më efikase mes Shqipërisë së Jugut dhe asaj të Mesme.
Krahas përfitimeve ekonomike, ndërtimi i këtij aksi do të ndikojë pozitivisht edhe në zhvillimin social, dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët.
Gazetare: L. Koçiu
/rtsh.al/